Diego Longo, trajneri italian ka nxirë futbollin shqiptar. Në një intervistë për "Gazeztta dello Sport" 49-vjeçari nga Genova ka thënë se futbolli në Shqipëri është më i korruptuari në botë.
Me një përvojë në vende si Rumania, Greqia, Arabia Saudite, Ukrainë dhe së fundmi Gjeorgjia, Longo ka treguar disa episode të dyshimta kur drejtonte Kukësin në Superligë, asokohe nën presidencën e Safet Gjicit.
"Si është kampionati shqiptar?
Liga më e korruptuar në botë. Marrëdhëniet midis klubeve dhe institucioneve të futbollit janë shumë të ndërlikuara. Kam parë shumë gjëra të papranueshme, por ka një episod që i tejkalon të gjitha të tjerat.
A mund të na tregoni për këtë?
Vitin tim të parë me Kukësin, luajtëm për biletën e fundit në Europë kundër Partizanit. Ata janë një nga ekipet më të mëdha, ekuivalenti shqiptar i Juventusit dhe kanë një fuqi të jashtëzakonshme. Një ditë para ndeshjes, na morën fushën e stërvitjes, duke thënë se kishin organizuar një ndeshje për ekipin e tyre nën 16 vjeç.
Por më e keqja ndodhi të nesërmen. Gjatë ndeshjes, VAR u shkëput për 15 minuta, "probleme teknike" sipas gjyqtarit. Gjatë atij momenti, na u mohuan dy penallti të hapura dhe një penallti e rreme iu dha Partizanit, i cili fitoi dhe u kualifikua për në Europë.
Pas fishkëllimës së fundit, vrapova në dhomën e zhveshjes i tërbuar dhe i thashë presidentit tim se duhej të ngrinte zërin, se situata ishte e papranueshme. Ai, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar bashkie i një qyteti shqiptar, u përgjigj: 'Nuk keni pse të zemëroheni, ne jemi dakord me këtë'. Ai u arrestua një vit më vonë.
Si ka mundësi? Skandal seksual, i vendosën një kamerë në zyrë dhe videoja madje përfundoi në YouTube. Mendoj se mund të gjendet ende", tha ai.
Por aventura Diego Longos në Shqipëri vazhdoi. Së pari te Flamurtari në Kategorinë e Parë dhe pastaj te Teuta.
"E udhëhoqa ekipin, i cili nuk po shkonte mirë, drejt fazës eliminatore për divizionin e parë, por humbëm për shkak të një gabimi të portierit në minutën e fundit. Pas Teutës, ku nuk kishte ambiente apo shkolla sportive, u largova dhe u ktheva në Itali", tha ai.
Sezoni i fundit ishte më i miri për Diego Longon si trajner, pasi fitoi me Dila Gorin, qytetin ku lindi Stalini, Kupën e Gjeorgjisë dhe Superkupën e këtij vendi.
Komente










