Pesë persona janë arrestuar dhe 9 të tjerë janë proceduar penalisht gjatë kësaj jave në Fier, për drejtim të automjeteve pa leje drejtimi.

Këto masa vijnë pas një aksioni për monitorimin intensiv me pajisje inteligjente në akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qytetit, me objektiv parandalimin e aksidenteve rrugore.

Policia njofton gjithashtu se gjatë kësaj jave në Fier janë vendosur gjithësej 700 gjoba për tejkalim të shpejtësisë, 60 gjoba për mos-përdorim të rripit të sigurimit, 20 gjoba për errëzimin e xhamave dhe 475 gjoba për shkelje të rregullave të tjera të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, janë sekuestruar 12 motomjete pa dokumentacionin dhe targa përkatëse.

Njoftimi i Policisë:

Fier/ Monitorim intensiv me pajisje inteligjente në akset rrugore dhe në pikat hyrëse-dalëse, me objektiv parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut.

Gjatë kësaj jave, për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor, janë proceduar penalisht 14 shtetas. Nga të cilët, 5 janë arrestuar në flagrancë pasi drejtonin automjetin në gjendje të dehur, ndërsa 9 drejtues mjetesh të tjerë, janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjithashtu, në funksion të kontrolleve parandaluese, te organizuara me grupe kontrolli në rrugët urbane dhe ato lokale, gjate kësaj periudhe janë vendosur gjithsej:

* 700 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2

* 60 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit;

* 20 masa administrative për errësim të xhamave mbi nivelin e lejuar;

* 475 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, që përbëjnë burim aksidentesh.

Gjithashtu, janë sekuestruar 12 motomjete pa dokumentacionin dhe targa përkatëse.

Policia Rrugore Fier, apelon sërish për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, si një kontribut i rëndësishëm për rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të lirë dhe pa pengesa.