Sipas burimeve të “A1 Report”, pritet që qeveria “Rama” të bëjë zyrtare emërimin e Arben Seferit si administrator i ri i CEZ në vend të Sahit Dollapit. Në vitin 2009, Arben Seferi ka qenë drejtues i Punëve Publike në bashkinë e Tiranës, ndërsa në vitin 2011, ka qenë Drejtor i Ndërmarrjes nr.1 të Tiranës. Nderkohe sipas burime nga ERE nuk ka nismë për shkarkimin e Dollapit dhe se ai vijon detyrën e tij.
Ndërsa drejtoresha e re e Qytetit Studentit pritet të emërohet Anila Shehu në vend të Bujar Brovinës. Anila Shehu ka qenë drejtore e Pastrimit në Bashkinë e Tiranës, kur kjo bashki ishte nën drejtimin e Edi Ramës.
Petrit Rama emërohet drejtori i ri i Metrologjisë, duke zëvendësuar Kozeta Mesitin, e akuzuar së fundi në media për mosgjobitjen e karburanteve që vidhnin klientët dhe për cilësinë e keqe të karburanteve.
Ish-drejtoresha e kabinetit Rama - kur ky i fundit ishte kryetar bashkie - Belinda Balluku (bashkëshortja e gazetarit Sokol Balla) emërohet drejtoresha e re e ANTA-s (Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror) në vend të Ferdinand Shehit. Belinda Balluku ka realizuar gjithashtu detyrën e këshilltares për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës, si dhe zëdhënëse e Bashkisë, në kohën kur Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, një tjetër emërim i ri në botën e sportit shqiptar. Sot është mbledhur asambleja e përgjithshme e KOKSH (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar) dhe ka vendosur që Viron Bezhani të jetë kreu i ri i tij në vend të ish-volejbollistes Ela Tase si një kryetare e komanduar.
“Do forcojmë bashkëpunimin me ministrinë edhe federatat”, u shpreh Bezhani., i cili në 2012 ka mbajtur detyrën e kryetarit të Ekipit Olimpik Shqiptar.
Redaksia Online
(e.s/mag/shqiptarja.com)