TIRANË, 10 Gusht/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Drejtori i Përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin, Genc Merepeza inspektoi të hënën, Portin e Vlorës dhe gjatë një pronocimi për mediat theksoi se azili ekonomik në Bashkimin Europian është azil abuziv.
Sipas tij, po kryhen verifikime të hollësishme në kufi për qytetarët, por jo vetëm, pasi verifikime po kryhen edhe për të gjitha kompanitë e transportit të udhëtarëve. Marepeza tha se zgjidhja më e mirë për ata që kanë ikur është kthimi i tyre vullnetar. "Kthimi vullnetar i atyre shtetasve që kanë kërkuar azil, nuk shoqërohet me penalitete. Prandaj dhe është mënyra më e këshillueshme për t'u kthyer", vijoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Kufirit i bëri thirrje qytetarve shqiptarë, të mos bien pre e mashtrimeve dhe premtimeve abuzive.
Ai nënvizoi dhe bashkëpunimin me palën gjermane, si të shkëlqyer. "Bashkëpunimi i vazhdueshëm me autoritetet policore gjermane për parandalimin e azilkërkimit. Bashkëpunimi me palën gjermane është në nivelet më të mira. Krahas kësaj, Policia Kufitare në të gjitha PKK-të po përballon me sukses fluksin e hyrje- daljeve në Shqipëri të turistëve dhe pushuesve, i cili sipas statistikave është rreth 40% më i lartë se në verën e vitit të shkuar", tha Merepeza./m.m/








