Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka vizituar Akademinë e Policisë në Romë, ku është takuar me drejtuesin e saj, Mario Viola. Në fokus të takimit ishte zgjerimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve në fushën e arsimit dhe trajnimit të punonjësve të policisë.

Gjatë takimit, Hita theksoi se zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e tij, ndërsa shprehu synimin për të zgjeruar bashkëpunimin me institucionet italiane përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, si dhe trajnimeve të specializuara.

“Një polici profesionale dhe moderne ndërtohet mbi përgatitjen cilësore, integritetin dhe aftësitë e punonjësve të saj. Për këtë arsye, zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e mia”, u shpreh Hita.

Nga ana tjetër, drejtori i Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola, vlerësoi progresin e Akademisë së Sigurisë në Shqipëri dhe konfirmoi vijimin e mbështetjes përmes literaturës, trajnimeve dhe programit Master.

“Jemi të lumtur që kontribuojmë në fuqizimin e saj. Akademia e Policisë italiane do të vijojë ta mbështesë përmes literaturës, trajnimeve, programit Master dhe çdo nevoje tjetër”, deklaroi Viola.

Në takim mori pjesë edhe rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro, i cili falënderoi palën italiane për mbështetjen dhe theksoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në programin Master “Hetimi i Krimit”, shkëmbimin e lektorëve dhe trajnimin për policimin në komunitet.