Nga kërkesat për dorëheqje te investimi i Jared Kushnerit në Shqipëri, kryeministri Edi Rama është përballur me një sërë pyetjesh nga gazetarët në Dublin, ku po merr pjesë në takimin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian.
Në fokus të intervistës ishin edhe negociatat për anëtarësimin në BE dhe lufta në Ukrainë, për të cilën Rama kritikoi qasjen e Evropës ndaj Rusisë.
I pyetur për kërkesat për dorëheqje që vijnë nga protestat në Tiranë, Rama iu referua rezultatit të zgjedhjeve të vitit të kaluar, duke këmbëngulur se ka marrë mbështetjen e shqiptarëve për të vijuar drejtimin e vendit.
“Populli shqiptar më ka dhënë një mandat shumë të fortë për ta udhëhequr vendin drejt Bashkimit Evropian. Kjo ndodhi vitin e kaluar. Pra, ju jeni ndikuar shumë nga gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat që janë përhapur për Shqipërinë”, u tha Rama gazetarëve
Një tjetër çështje për të cilën u pyet kryeministri ishte investimi i Jared Kushnerit në Shqipëri, që kishte nxitur protesta në fillim të verës. Rama mohoi të kishte marrëdhënie biznesi me Kushnerin, ndërsa i cilësoi të pavërteta raportimet se ishulli i Sazanit i është dhënë investitorit amerikan.
“Nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi me Kushnerin. Ai është një nga investitorët e shumtë që kanë treguar interes për vendin tonë. Aktualisht po zhvillohen bisedime me grupin e tij, i cili është një grup i madh dhe me qëllime shumë të mira. Nëse do t'ju pyesja se çfarë dini për këtë çështje, do të më thoshit se ka një ishull në Shqipëri që i është dhënë atij. Kjo është ajo që ju kanë thënë mediat ndërkombëtare, por është gënjeshtër”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, negociatat për investimin vazhdojnë prej tre vitesh, por deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ai tha se ishulli do të mbetet pronë e Shqipërisë dhe se shteti shqiptar synon të jetë aksioner në investim.
“Nuk ka ende asnjë marrëveshje. Prej tre vitesh jemi në negociata. Nuk është shitur asnjë ishull dhe nuk ka asnjë kërkesë për ta blerë. Ishulli është pronë e Shqipërisë dhe i tillë do të mbetet. Shqipëria synon të jetë aksionere në këtë investim. Kjo është e vërteta, por nuk ka shumë vend për të vërtetën në media, apo jo?”, shtoi ai.
Përmes intervistës Rama shuajti edhe aludimet lidhur me organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri që një ditë më parë u shoqërua me pikëpyetje pas publikimit të një artikulli në Politico ku pretendohej se Shqipëria ka propozuar shtyrjen ose zhvillimin e samitit në format virtual, pretendim që u mohua nga ministri Ermal Nufi. Vetë Rama i quajti pretendimet 'marrëzira' dhe sqaroi se samiti i NATOs do të mbahet në Tiranë por ende nuk ka një afat kohor, mbase në 2028-ën.
“Shqipëria është caktuar si vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO-s. Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Me siguri jo në vitin 2027 dhe, nëse do të ketë një samit në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë. Ato që po diskutohen për këtë çështje janë marrëzira”, deklaroi kryeministri.
Sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, Rama tha se nuk ka rrugë tjetër për anëtarësimin përveç procesit të bazuar në merita. Sipas tij, ky parim duhet të vlejë për të gjitha vendet, përfshirë Ukrainën.
“Nuk ka rrugë tjetër për t'u anëtarësuar në BE përveç ndjekjes së procesit të bazuar në merita dhe kjo do të vlejë edhe për Ukrainën. Bashkimi Evropian duhet të gjejë momentin e tij të ri Helmut Kohl dhe t'i mbledhë të gjithë rreth tryezës, duke ruajtur për secilin procesin e bazuar në merita”, u shpreh kryeministri.
Rama foli edhe për luftën në Ukrainë, duke kritikuar mënyrën se si Evropa ka trajtuar diplomacinë me Rusinë. Ai tha se mbështetja ushtarake për Ukrainën është e drejtë, por kjo nuk duhet të përjashtojë bisedimet me Moskën.
“Pyetja nuk është se kujt mund t'i besojmë, por çfarë është në interesin tonë më të mirë si komunitet evropian. Besoj se është bërë një gabim shumë i madh duke ua lënë diplomacinë të tjerëve dhe duke u përqendruar vetëm te mbështetja ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t'u bërë, pa mbajtur të hapur kanalin e bisedimeve me Rusinë”, tha ai.
“Duam apo nuk duam, Rusia nuk do të zhduket. Ajo do të jetë aty dhe e ardhmja e kontinentit është një e ardhme e përbashkët, për të cilën duhet të punojmë duke përdorur të gjitha mjetet. Ndërsa e mbështesim Ukrainën deri në fund, duhet të zhvillojmë edhe bisedime”, shtoi Rama.
Duke folur për rolin e Shqipërisë në diskutimet evropiane, kryeministri tha se vendi ynë e njeh peshën e tij dhe nuk synon t'u japë leksione të tjerëve.
“Ne jemi shumë të vegjël dhe e dimë vendin tonë, ndaj nuk na takon t'u japim leksione të tjerëve apo të përfaqësojmë të gjithë. Unë jam më i gjati, por drejtoj një vend shumë të vogël. Nuk bëhet fjalë për gjatësinë time, por për peshën e vendit”, u shpreh Rama.
Takimi i nëntë i Komunitetit Politik Evropian në Dublin bashkëdrejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe kryeministri i Irlandës, Micheal Martin. Në Dublin ndodhet edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe protestën e një grupi shqiptarësh në Dublin, të cilët qëlluan me vezë në drejtim të tij, duke e cilësuar pjesë të demokracisë.
“Ky është një vend demokratik dhe qeveriset nga rregulla dhe ligje. Ajo që ndodhi është pjesë e një vendi demokratik dhe ka të bëjë me rregullat dhe ligjet. Ndihem shumë i mirëpritur në Irlandë. Pata një bisedë shumë të mirë në një institut studimor mjaft prestigjioz dhe, po, ishin rreth një duzinë vëllezërish dhe motrash që menduan të më prisnin në një mënyrë tjetër, por kjo është demokracia, çfarë të bëjmë!”, tha Rama.
Incidenti ndodhi teksa kryeministri po dilte nga një ambient gjatë qëndrimit të tij në Dublin. Një grup shqiptarësh e priti me vezë dhe thirrje kundër qeverisë, mes të cilave “Kriminel, jep dorëheqjen!” dhe “Shqipëria nuk është në shitje!”.
-
Bashkekombasit tane ......... bashkefshatare te Sales & Mulit ...... Irlandezi
Përgjigju -
jane mbeturiant e sal berishes qe i con zagaret e vet neper irlande
Përgjigju









Komente
Komento