Shqiptarja. com në vazhdim të investigimit publikon sot dokumentin ekskluziv të ANTA- s dhe kullës së kontrollit në Rinas, i cili zbardh dhe rrugëtimin e avionit mëngjesin e datës 25 Prill. Avioni u furnizua në Rinas nga 10 kamionë ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes të cilët kanë transportuar fishekët. Sipas investigimi të kësaj gazete Drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë i emëruar pas Gërdecit është përfshirë në konflikt interesi me tregtarët e armëve, pasi përfshiu bashkëshorten në tregtinë e armëve. Kompania është "Unimesko shpk" e cila është në pronësi të Andrzej Izdebzki dhe me administrator Lorenc Goçën, të cilat rezultojnë ortakë të gruas së kreut të SHIU-t, Liljana Zyla.
SHKRIMI I PLOTE
Dhjetë kamionë të Ministrisë së Mbrojtjes të ngarkuar me fishekë janë stacionuar në bazën ushtarake afër Rinasit (pas godinës së
Universitetit Epoka) rreth datës 20 Prill 2012. Lëvizja e kamionëve të ushtrisë drejt Rinasit, është ndjekur me mister nga shumë njerëz, që duke e ditur skandalin e mëparshëm të qeverisë shqiptare me shitjen e armatimeve, janë çuditur nga kjo lëvizje. Kamionët u magazinuan dhe qëndruan në pritje të një avionit, që do të merrte ngarkesën e tyre për ta çuar më pas në Nigeri. Mbërritja e avionit që do i transportonte fishekët është raportuar disa ditë më parë në autoritetet e kontrollit dhe planifikimit në Rinas, të cilat madje kanë bërë dhe planin e fluturimit të këtij avioni. Shqiptarja.com disponon planin e raportuar në ANTA (Autoriteti i Aviacionit Civil). Ky Autoritet ka përcaktuar planet e katër fluturimeve më datën 24 Prill, ndërsa mes tyre jepen të dhëna edhe për fluturimin me kodin: TXC2119. Eshtë kodi i fluturimit të një avioni tip "Ilushin 76", ndërsa, në kolonën e dokumentit ku ANTA specifikon natyrën e këtij fluturimi shkruhet gërma "M". Kjo gërmë nënkupton fjalën "Military" në gjuhën e kodeksit ajror ndërkombëtar, çka do të thotë se avioni që pritej në Rinas më datën 24 Prill kishte një mision ushtarak.
Në dokumentin e ANTA-s përshkruhet dhe shteti të cilit i përket avioni dhe që është Bjellorusia. Në tabelën përshkruese mungojnë të dhënat se prej nga vinte avioni dhe se ku do të shkonte. Por më tej tabela specifikon se avioni ishte klasifikuar në kategorinë "Ferry Flight", që do të thotë se ky avion do të mbërrinte bosh në Rinas. Ora e mbërritjes më datën 24 Prill ishte e papërcaktuar, ndërsa nisja nga Shqipëria ishte parashikuar rreth orës 05:00 me sistemin ndërkombëtar ETD, dhe që me orën lokale korrespondon me orën 07:00 të mëngjesit të datës 25 Prill. Leja e dhënë nga ANTA për këtë fluturim mban numrin "Leje 216 Rinas".
FLUTURIMI
Ndërsa dokumenti i ANTA-s linte të papërcaktuar vendin nga vinte avioni dhe vendin e destinacionit final të tij, një tjetër dokument i kullës së kontrollit në Rinas ka qartësuar këto dy detaje. Në këtë dokument që i referohet të njëjtit fluturim me kodin TXC2119, detajohet se avioni "Ilushin 76" i përket kompanisë ajrore "TransaviaEksport", një kompani ajrore në pronësi të shtetit Bjellorus. I njëjti dokument përcakton më tej se pasi të nisej nga Tirana avioni do të ndiqte rrugën për në shtetin e Nigerisë, si destinacioni final.
KONTEKSTI
Pasi është dokumentuar prezenca e avionit në Tiranë, Shqiptarja.com është interesuar në lidhje me procedurat e dërgimit të kësaj ngarkese në Nigeri. Mësohet se ka qenë kompania private "Unimesko", që ka bërë porosinë e sasisë së fishekëve në Ministrinë e Mbrojtjes. "Unimesko" është kompani e zotëruar nga Andrzej Izdebzki dhe me administrator shtetasin Lorenc Goça, ndërsa që të dy këta shtetas janë ortakë në një tjetër kompani me shtetasen Liljana Zyla, gruaja e kreut të Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla. Autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes janë treguar hermetikë në dhënien e informacioneve të mëtejshme lidhur me këtë ngarkesë të kontraktuar për shtetin Nigerian. Por Shqiptarja.com ka mësuar se kjo ngarkesë e ka zanafillën në shtetin e Izraelit dhe lidhet me kompaninë "DIGNIA SYSTEMS ltd". Kjo kompani ka patur një kontratë me shtetin e Nigerisë për furnizim me fishekë. Për të përmbushur kontratën, kompania izraelite ka kërkuar për fishekë edhe në Shqipëri. Për të lidhur kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare, kompania izraelite ka ngarkuar operatorin privat shqiptar "Unimesko shpk". Ka qenë pikërisht kompania "Unimesko shpk" që me prokurë të posaçme nga kompania izraelite, ka kontraktuar Ministrinë e Mbrojtjes për blerjen e sasisë së fishekëve. Kontrata është aprovuar dhe më datën 25 Prill në orën 07:15 të mëngjesit avioni "Ilushin 76" është nisur drejt Nigerisë. Termat e transportit dhe transferimit janë ndjekur dhe ekzekutuar në Tiranë nga kompania "Unimesko", pronarët e së cilës janë edhe ortakë me bashkëshorten e një prej zyrtarëve më kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ylli Zylës kreu i SHIU-t.
(sg/shqiptarja.com)