TIRANE- I vidhet makina drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami. Burime pranë policisë së Tiranës bëjnë të ditur se një ditë më parë shtetasi Kristaq Skrami ka bërë kallëziim se i është vjedhur automjeti i tij “Mercedez Benz”, me targa AA 032 AV, me ngjyrë gri. Makina është grabitur gjatë natës, në rrugën “Mis Edit Durham” ku dhe banon drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami.

Policia ka nisur hetimet për gjetjen e autorit të grabitjes së automjetit. Vjedhja e makinave kohët e fundit në kryeqytet është kthyer në një ndër veprat penale më të shpeshta. Në listën e personave që u janë vjedhur automjetet nuk mungojnë politikanët, avokatët dhe prokurorët, por edhe diplomatët.
Për sa kohë kanë një makinë të bukur, as njerëzit e artit nuk mund t’i mungojnë kësaj liste.

Pak kohë më parë është vjedhur makina e zv.ambasadorit të Kuvajtit në Tiranë në zonën e ish-Bllokut. Pre e hajdutëve u bë edhe ministri i Kulturës,Aldo Bumci, të cilit iu vodh makina pranë institucionit që ai drejton. Po ashtu pak kohë më parë edhe prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme Bilbil Mete, iu vodh makina pranë apartamentit të tij në zonën e Laprakës në rrugën “Gjergj Legisi”.

(jd/shqiptarja.com)