Më tej ai njofton se janë mbajtur edhe “180 kumtesa e diskutime”, ku sipas tij “u bë një rrahje e gjerë krijuese e pikëpamjeve shkencore për të gjithë çështjet e drejtshkrimit të shqipes”. Në fund të shkrimit Lafe kujton përshëndetjen e Enver Hoxhës duke uruar për këtë fitore të pallogaritshme…
Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe botohet e plotë në vijim të faqeve të “Nëntorit” dhe me kaq ngjarja e bujshme mbyllet.
A u njoh ndonjëherë publiku i gjerë me diskutimet e atij Kongresi? Kush ishte pro e kush kundër, çfarë idesh u përkrahën e çfarë u kundërshtua? Zbulimi i kësaj tabloje do t’i mbetet hapjes së dosjeve arkivore. Sot po i sjellim lexuesit anën e thatë e zyrtare që i paraqiti publikut regjimi i kohës mbi këtë çështje që ngjall debate sa herë hidhet në diskutime publike.
KONGRESI I DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE- Nga EMIL LAFE
Në prag të festave tona të mëdha kombëtare, zhvilloi punimet në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i thirrur me iniciativën e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Çështja e formimit të një gjuhe letrare kombëtare të njësuar ka qenë pjesë e pandarë e jetës politike, shoqërore e kulturore të popullit tonë që nga Rilindja e këtej. Në këtë çështje të madhe caktimi i alfabetit të sotëm nga Kongresi i Manastirit më 1908 dhe vendosja e rregullave përfundimtare të drejtshkrimit nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe përbëjnë dy momente shumë të rëndësishme, dy ngjarje historike. Të dyja këto ngjarje janë kurorëzimi i përpjekjeve të pareshtura të shumë brezave që punuan e luftuan me besim të plotë se gjuha jonë e ëmbël dhe e gjerë, e lehtë dhe e lirë, e bukur dhe e mirë do të kishte një të ardhme të madhe, të ndritur.
Duke qenë se drejtshkrimi përbën tiparin dallues themelor të një gjuhe letrare të përpunuar, diskutimet rreth tij, përpjekjet për hartimin e një drejtshkrimi sa më të njësuar, kanë zënë një vend qendror në diskutimet dhe debatet rreth çështjes së gjuhës letrare në përgjithësi. Që më 1905 Luigj Gurakuqi thoshte se drejtshkrimi “ka një rëndësi të madhe fort për themelim të një gjuhe letrare shqipe, sa mund të themi se nuk do të arrijmë kurrë këtu po të mos zgjedhim e po të mos caktojmë një mënyrë të posaçme e të veçantë për të shkruar një fjalë si toskërisht, si gegërisht”. Pikërisht duke u nisur nga kjo e vërtetë e padiskutueshme, Komisia Letrare e Shkodrës, në të cilën bashkë me L. Gurakuqin bënin pjesë edhe S. Peci, N. Mjeda, Gj. Pekmezi, M. Logoreci, A. Xhuvani etj., me rregullat ortografike që botoi më 1917 bëri me sukses një afrim të mëtejshëm të gegërishtes së shkruar me toskërishten.
Ato rregulla patën një rëndësi historike për konvergjencën e mëvonshme të dy varianteve, verior e jugor, të shqipes letrare, megjithëse për gati tridhjetë vjet rresht puna e Komisisë Letrare jo vetëm nuk u çua përpara në një mënyrë më të organizuar e më të studiuar, por edhe u kundërshtua ose u la në harresë të plotë nga klasat sunduese e nga kleri katolik. Kjo solli që para çlirimit të mbretëronte një kaos ortografik. “Të gjithë e dimë, - shkruante A. Xhuvani, duke karakterizuar atë gjendje, - se ortografia e shqipes nuk është e ngulme saqë të quhet e unifikuar dhe të përdoret po në atë mënyrë prej të gjithë atyre që marrin pendën e shkruajnë ose shkarravisin gjësendi; por lëkundet kjo ortografi jona në mes shumë fluktuacionesh, saqë çdo shkrimtar a auktor ka një mënyrë më vete ortografie, ashtu si ia ka rrokur mendja e tij, ose shkon mbas ortografisë së njërit a tjetrit shkrimtar të mëparshëm. Veç kësaj, edhe çdo shkrimtar ose auktor tjetër që thuhet se ka formuar një farë mënyre shkrimi, nuk është konsekuent në punë të ortografisë së vet, por ka një fluktuacion në shkrimet e veta, duke përdorur trajta të ndryshme fjalësh”.
Në Shqipërinë e re demokratike dhe popullore çështjes së gjuhës letrare iu kushtua menjëherë kujdesi i duhur. Një nga punët e para që kreu Instituti i Shkencave, i themeluar më 1947, ishte hartimi i një ortografie të re, që të merrte parasysh zhvillimin e gjuhës letrare shqipe gjatë tridhjetë vjetëve që kishin kaluar që nga koha e Komisisë Letrare të Shkodrës. Kjo ortografi u botua në Buletinin e vitit 1948 të atij Instituti dhe pastaj, e ripunuar, doli si libër i veçantë më 1951. Pas një konference shkencore të posaçme që u thirr për të diskutuar rreth ortografisë, më 1956 u hartuan dhe u botuan rregulla të reja ortografike, më të plota dhe më të njësuara se të mëparshmet.
Zhvillimi i vrullshëm i kulturës, i arsimit, i veprimtarisë së institucioneve shkencore, i letërsisë, i artit, i publicistikës në periudhën pas vitit 1956 shtroi si një nevojë praktike të ngutshme njësimin e gjuhës letrare dhe e shpejtoi në mënyrë të dukshme procesin e konvergjencës gjuhësore. Gjuha letrare shqipe, në të gjitha fushat e zbatimit të saj, filloi kështu të funksionojë në një trajtë të vetme, të formuar si rezultat i një procesi të gjatë afrimi të dy varianteve letrare kryesore të saj. Gjuhësia shqiptare, me sukseset e rëndësishme që arriti pas çlirimit, dha një ndihmë të madhe për drejtimin dhe shpejtimin e këtij procesi objektiv dhe për përcaktimin e zgjedhjen e trajtave gjuhësore të drejta, ose, siç thuhet, për kodifikimin e normës së gjuhës letrare.
Në këtë mes një vend qendror zë puna me drejtshkrimin, pasi, ndryshe nga disa gjuhë, në drejtshkrimin e të cilave vendin kryesor e zënë rregullat që tregojnë se me ç’shkronja ose me ç’kombinime shkronjash shënohen këta ose ata tinguj, drejtshkrimi i shqipes, përkundrazi, lidhet ngushtë me tërë strukturën gramatikore e leksikore të gjuhës. Për t’iu përgjigjur kësaj gjendjeje të re cilësore të gjuhës letrare në shkurt 1967 u botuan “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”, hartuar si projekt për diskutim nga një komision i posaçëm i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, me synimin që në të ardhmen, në bazë të tyre të hartohej drejtshkrimi i shqipes në trajtë përfundimtare.
Projekti i vitit 1967 iu shtrua menjëherë një diskutimi të gjerë si në shtypin shkencor e periodik, ashtu edhe në mbledhje e konsulta të posaçme që u organizuan në njëzet e një rrethe të vendit e në disa institucione kulturore-shkencore të kryeqytetit.
Parimet e hartimit të këtij projekti dhe rregullat kryesore të tij gjetën një miratim të përgjithshëm në opinionin shkencor-arsimor të vendit. Zbatimi i këtij projekti solli një përmirësim të dukshëm të gjuhës së të gjitha botimeve tona. Që nga prilli i vitit 1968, me vendim të Konsultës Gjuhësore të përfaqësuesve të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, ky projekt po zbatohet me sukses në të gjitha botimet e atjeshme. Përpjekje të ngjashme janë bërë edhe nga arbëreshët e Italisë.
Pas një periudhe prej pesë vjetësh, gjatë së cilës projekti u diskutua e u zbatua gjerësisht, Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë i USHT mori iniciativën për të mbledhur një Kongres të Drejtshkrimit, si forumin më të lartë shkencor kombëtar, që do të diskutonte përfundimisht çështjet teorike e praktike, të përgjithshme e të veçanta, të drejtshkrimit të shqipes dhe do të përcaktonte parimet dhe vijat themelore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe në trajtë përfundimtare.
Kongresi u mblodh në Tiranë nga 20 deri më 25 nëntor 1972. Në Kongres morën pjesë si delegatë e si të ftuar përfaqësues të dalluar të gjuhësisë shqiptare, të shkollës shqipe e të kulturës sonë kombëtare. Ndër ta ishin edhe studiues të shqipes e punonjës të arsimit e të kulturës nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga arbëreshët e Italisë.
Në Kongres Androkli Kostallari, drejtor i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, mbajti një referat kryesor me temë: “Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme të drejtshkrimit të saj” dhe rreth 180 kumtesa e diskutime, në të cilat u bë një rrahje e gjerë krijuese e pikëpamjeve shkencore për të gjitha çështjet e drejtshkrimit të shqipes. Kongresi i zhvilloi punimet mbi baza të shëndosha shkencore dhe në përputhje me fazën e sotme të zhvillimit të gjuhës letrare. Ai tregoi jo vetëm përparimet e arritura nga gjuhësia jonë në fushën e studimit të gjuhës letrare, por edhe karakterin e saj masiv, interesimin e vazhdueshëm për gjuhën të arsimtarëve, letrarëve, punonjësve të shtypit, të artit, të kulturës etj. Një kontribut të rëndësishëm dhanë në punimet e Kongresit edhe delegatët e të ftuarit nga shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe nga arbëreshët e Italisë.
Në përfundim të punimeve Kongresi diskutoi dhe aprovoi njëzëri një rezolutë, e cila u nënshkrua nga tetëdhjetë e shtatë delegatët e Kongresit, dhe përbën kështu një dokument kombëtar historik. Në këtë rezolutë bëhet vlerësimi i gjendjes së sotme të gjuhës letrare shqipe, duke u theksuar se ajo sot funksionon si gjuha letrare e njësuar e gjithë popullit shqiptar, vihet në dukje se kjo arritje e madhe u detyrohet përpjekjeve të pareshtura të popullit tonë arsimdashës që nga Rilindja e këtej, e sidomos kushteve të reja shoqërore-historike që u krijuan pas çlirimit; më tej në rezolutë parashtrohen një varg kërkesash të Kongresit, në bazë të të cilave do të bëhet hartimi përfundimtar i “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” dhe u bëhet thirrje shkollës shqiptare, shkrimtarëve, institucioneve botuese, shtypit, enteve shtetërore, radio-televizionit, teatrit, kinematografisë etj., që ta përvetësojnë dhe ta zbatojnë me këmbëngulje drejtshkrimin e ri që do të hartohet në bazë të kësaj rezolute brenda vitit 1973.
Ky drejtshkrim do të jetë pa dyshim më konsekuent, më objektiv, më sistematik dhe më i thjeshtë se projekti i 1967-ës. Por nuk duhet të kemi iluzione se ai do të jetë fare i lehtë dhe se do të mësohet pa mundim. Drejtshkrimi është i lidhur me gjuhën dhe nuk mund të mësohet mirë po të mos mësohet mirë vetë gjuha. Prandaj sistemi i rregullave drejtshkrimore në tërësinë e tij nuk mund të përvetësohet plotësisht pa zotëruar mirë gramatikën. Shkrimi i drejtë i qindra dhe mijëra fjalëve varet nga njohja e mirë e funksioneve të tyre gramatikore. Kultura drejtshkrimore lidhet ngushtë me kulturën gjuhës dhe nuk mund të ndahet nga ajo. Kështu që njëkohësisht me zgjidhjen përfundimtare të çështjes së drejtshkrimit ne duhet të marrim të gjitha masat për ngritjen e përgjithshme të kulturës gjuhësore, duke u udhëhequr nga roli dhe rëndësia e gjuhës letrare për zhvillimin e jetës mendore dhe për forcimin e ndërgjegjes kombëtare.
Para gjuhësisë shqiptare hapet një fushë e gjerë pune me rëndësi dhe përgjegjësi historike. Në rezolutën e Kongresit thuhet se në vitet e ardhshme duhet të hartohet Fjalori drejtshkrimor, Rregullat e drejtshkrimit, Rregullat e pikësimit dhe një varg librash për të çuar në masat rezultatet e studimeve shkencore në fushën e normës së gjuhës letrare, të cilat do të zgjerohen e njëkohësisht do të thellohen gjithnjë e më shumë. një rëndësi të madhe shoqërore merr tani edhe puna për hartimin e “Gramatikës së gjuhës letrare shqipe”.
Vlerësimi i lartë që i bëri shoku Enver Kongresit të Drejtshkrimit si një fitore e pallogaritshme në mes të aq fitoreve që ka korrur populli ynë me luftë, me përpjekje e me zotësi është një frymëzim i madh për punonjësit e gjuhësisë, të shkollës, të letërsisë e të shtypit shqiptar. Veçanërisht shkrimtarët e poetët tanë duhet të luajnë një rol edhe më madh se gjer tani për ta bërë gjuhën shqipe më të pasur, më të bukur, më shprehëse, për t’i dhënë një shkëlqim të ri këtij thesari të madh që populli e ruajti në shekuj si pjesë të pandarë të qenies së tij kombëtare.
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)