Drita Pelingu në rolin e
Zarinës prek suksesin e fundit

Drita Pelingu në rolin e <br />Zarinës prek suksesin e fundit
Këmbëngulja për të pasur një rol të fundit i është shpërblyer më në fund aktores Drita Pelingu me duartrokitje të ngrohta. Loja ka qenë e pëlqyer nga publiku dhe është ndjekur me interes gjatë të tria netëve të shfaqjes së fundjavës nga data 8 deri më 10 qershor. Aktorja Pelingu ka mposhtur gjithë barrierat e moshës, vështirësitë që i janë krijuar me ecjen. Në skenë duket se është harruar dhimbja e këmbës dhe ajo ka triumfuar me stoicizmin e saj klasik si aktore. Drita Pelingu i dha një fytyrë të veçantë dhe të paharrueshme rolit të Zarinës, duke e ndarë atë tejskajshmërisht nga vetvetja. Veshja e personazhit, lëvizjet skenike, sytë që nuk vështrojnë publikun, por ngjajnë sikur lëvrijnë brenda një bote të mbyllur dhe hija e kryelartësisë së personazhit, mbetur prej një krenarie të natyrshme rinore, mund të shërbenin fare mirë edhe si “nëntekste” të pavendosura në skenarin e shkruar me përkushtim nga regjisori i njohur Mihal Luarasi. Pra, aktorja Pelingu ka interpretuar duke sjellë në jetë një personazh të vërtetë skenik, duke i dhënë pak krijimtari nga vetja. Marrëdhëniet me aktorin Vangjel Toçe në rolin e Dionit, sollën në skenë një çift interesant të moshuarish. Koha skenike u zotërua nga ngjarje dhe intriga, nuk pati pauza të mërzitshme, edhe pse për gati një orë luanin vetëm dy aktorë. Drita Pelingu arriti të prezantonte në mënyrë perfekte një profil të individualizuar të personazhit Zarina. “Jam gëzuar që kam pasur kaq shumë shikues dhe miq të mi. Ishte një rol që doja ta vija në skenë dhe më besoni edhe në gjumë unë thosha fjalët e rolit. Kur të ndjek kudo, kur të ndjek pas roli, do të thotë se ky rol bashkëjeton me aktorin”, pohon ajo. Kjo është një nga mënyrat që tregon lidhjen e Drita Pelingut me pasionin e aktrimit, por nuk është e vetmja. Të tjerat janë përkushtimi dhe vullneti. Drita Pelingu ngjitet në skenë e frymëzuar nga pasioni për teatrin. Ky pasion i saj u vu re edhe gjatë tre ditëve rresht të shfaqjes “Përjetësisht Dashuria” në Teatrin Kombëtar, por edhe gjatë provave ku për çdo ditë, mëngjeseve herët niste nga puna me regjisorin dhe nuk zbriste nga skena pa arritur lojën e duhur skenike. Së bashku me aktorin e njohur Vangjel Toçe, Drita Pelingu mishëroi të gjitha karakteristikat e një çifti të vetmuar, që ndërsa përpiqen të maskojnë trishtimin e tyre në sytë e të tjerëve, ndihen të pafuqishëm ndaj të papriturave të jetës dhe frikës nga vdekja. Aktori Toçe arriti të krijonte personazhin e duhur në raport me Zarinën. U motivua qartë që për secilin do të ishte tragjike, nëse njëri shkon përpara tjetrit në botën tjetër. “Përjetësisht Dashuria”, dramë të cilën Luarasi e krijoi mbi vetminë e brezit te tretë, sjell pikërisht këtë marrëdhënie e frikë të personazhit kryesor Zarinës. Në sytë e saj, në ngjyrën që i merr fytyra, ndihet frika ndaj vetmisë. Por...është vetëm frika e lojës, frika si aktore që ajo diti ta luante aq bukur në skenë. Drita Pelingu është ndryshe në jetë. Roli i saj mbante në shpinë tragjizmin e një gruaje mbi të shtatëdhjetat, që pas largimit të fëmijëve në emigracion jetonte vetëm me të shoqin. Ajo që e mundon është frika se mos bashkëshorti vdes i pari, duke e lënë atë dyfish të vetmuar. Shqetësimet e Zarinës kanë ndikuar emocionalisht mbi të pranishmit. “Që një ditë do të katandisemi si Zarina e dimë, por nuk dimë ç’duhet bërë para se kjo të ndodh”, tha një nga shikuesit e shfaqjes së të dielës. Zarina është roli i fundit i Drita Pelingut në skenë. Është një rol i shkruar enkas nga Mihal Luarasi për aktoren e njohur. Dhe ashtu siç pritej, edhe pse me shume vite mbi supe, aktorja nuk e zhgënjeu publikun as këtë herë ashtu siç ka bërë tërë jetën e vet si aktore. Një rol i luajtur nga Drita Pelingu është një personazh më tepër në galerinë e veprave të ngjitura në skenë nga Teatri Kombëtar. Një rol i fundit për Drita Pelingun i vë vulën ëndrrës së bukur të fillimeve të saj si aktore.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut