Gjykata italiane ka mbyllur fazën e parë të hetimeve për trafikun ndërkombëtar të drogës mes Ekuadorit dhe Firenzes. Gjykata ka rrëzuar akuzën se tre kartelet, mes tyre edhe karteli shqiptar i drogës që drejtohej nga Dritan Rexhepi, se kishin ngritur një super organizatë duke bashkuar tre kartele droge.
Karteli shqiptar i Dritan Rexhepit me anëtaret e tij importonin kokainë në Itali dhe veçanërisht në Firence, falë një rrjeti ndërkombëtar të lidhur midis Ekuadorit dhe Evropës.
Gjykata italiane ka pranuar çështjen për gjykim, por ka gjyqtarja Silvia Romeo ka rrëzuar vetëm akuzën se tre kartelet kishin ngritur një super organizatë. Sipas gjyqtares, nuk është provuar në asnjë moment se tre kartelet kriminale kanë pasur komunikim së bashku dhe kanë krijuar lidhjet mes tyre për të shpërndarë drogën në të gjithë Europën, përfshirë edhe në Itali.
Hetimet kanë nisur që në vitin 2015 dhe çuan në sekuestrimin e 5 milionë euro e gjysmë dhe 4 tonë kokainë. Nga ana tjetër, Prokuroria italiane ka kërkuar 20 vite burg për Dritan Rexhepin, i njohur si trafikanti shqiptar që përmbyti Europën me drogë por edhe urdhëruesi i rrëmbimit të Jan Prengës, trupi i të cilit nuk u gjet më.
Më 11 janar 2022 u mësua se Rexhepi ishte lirua me kush nga burgu ku ishte në Ekuador dhe nuk lejohej të dilte nga shteti deri në vitin 2027. Por që nga 10 nëntori autoritetet në Ekudor nuk kanë asnjë gjurmë nga Dritan Rexhepi, i cili duhej të paraqitej në Polici çdo 15 ditë. Rexhepi ka mbajtur kontakte me autoritetet e vendit deri më 15 janar të këtij viti, por më pas është zhdukur dhe nuk ka asnjë gjurmë për “mbretin e padiskutueshëm të kokainës”.
Rexhepi rezulton në kërkim nga të paktën 3 shtete (Shqipëri, Spanjë dhe Itali). 40-vjeçari nga Vlora është arratisur jo pak herë nga burgu, në vitin 2007, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri, në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit. Gjithashtu Dritan Rexhepi rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim në Shqipëri, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998.
Kush është Dritan Rexhepi?
Dritan Rexhepi (me shumë emra) në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Hera e fundit që rezulton se ai ka hyrë në Shqipëri, është data 16 nëntor 2013, nga pika e kalimit Kufitar në Kakavijë, ku ka përdorur një pasaportë me emrin Lulzim Murataj. Rexhepi, njihet si mjeshtri i arratisjeve nga burgu.
Po kur ka qenë hera e fundit e qëndrimit në Shqipëri e Dritan Rexhepit? Dritan Rexhepi ka dalë nga pika e kalimit kufitar Kakavijë me pasaportën biometrike të falsifikuar më gjeneralitetet Lulzim Murataj, në datën 28.11.2011 dhe ka disa hyrje dalje nga e njëjta pikëkalimi dhe hyrja e fundit e tij, është në datën 16.11.2013. Të dhënat e pasaportës në emër të Lulzim Murataj, përputhen plotësisht me numrat e pasaportës së personit të arrestuar në Ekuador, me emrin Lulzim Murataj…”.
Në fakt teksa ka dalë për herë të fundit nga Shqipëria në nëntor 2013 nga pika e Kakavijës në Gjirokastër, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në vendlindje, pasi në muajin Gusht të 2014, ai u arrestua në Ekuador pikërisht me emrin false, Lulzim Murataj. Ky dokument tregon se:“…ka rezultuar se në datën 8.08.2014 në kuadër të një operacioni antidrogë “Balance” të zhvilluar në Ekuador, përveç shtetasve ekuadorianë është arrestuar dhe shtetasi shqiptar Lulzim Murataj, lindur Vlorë, posedues i pasaportës me nr.BB 3563478. Nga verfikimet e bëra nga Departamenti i Krimit të Organizuar në sistemin TIMS, rezulton se ky shtetas i identifikuar me emrin Lulzim Murataj, është personi i shpallur në Kërkim Ndërkombëtar, Dritan alias Gramos Rexhepi ose “Dioniso Poulos”, i cili ishte arrestuar në Ekuador…”.Dritan Rexhepi akuzohet në Shqipëri se porositi rrëmbimin e Jan Prengës.