Takimi
Burime nga Partia Demokratike bënë me dije për gazetën “Shqiptarja.com” se paraditen e djeshme Lulzim Basha, sëbashku me deputetë si Ridvan Bode, Majlinda Bregu, Aldo Bumçi dhe Jorida Tabaku kanë diskutuar për një marrëveshje të mundshme me mazhorancën për të arritur konsensusin për reformën territoriale, si edhe për nisma të tjera, që kanë mbetur në mes. Konkretisht, marrëveshja e parë duket se ka të bëjë me miratimin e rezolutës së përbashkët, e cila u la në mes, disa javë më parë në Strasburg, kur mazhoranca dhe opozita nuk arritën që të gjenin konsensusin për të miratuar këtë nismë.
Në atë kohë u miratua një rezolutë e pjesshme, ku paraqiteshin propozimet e mazhorancës dhe disa të opozitës, por PD-ja kërkoi që në të të futeshin edhe pika të tjera, si shkarkimi i ish-drejtores së INSTAT, sulmet ndaj AMA-s etj.
Nga tërheqja e mazhorancës duket se disa nga këto pika nuk qëndrojnë më dhe për këtë Basha ka vendosur që hapin e parë të konsensusit ta bëjë duke votuar rezolutën e përbashkët Shqipëri-Bashkimi Europian.
Takimi Basha-Rama
Pjesë e bisedës ndërmjet kryetarit të Partisë Demokratike dhe deputetëve të tij ishte edhe çështja e takimit me kryeministrin Edi Rama. Sipas burimeve nga selia blu, bëhet me dije se Basha ka diskutuar për ditën se kur do të bëhet ky takim dhe, sipas të gjitha gjasave, është vendosur që të bëhet në fundjavë. Krahas kësaj, PD-ja është duke përgatitur edhe qëndrimet e saj përballë kryeministrit Rama për çështjen e reformës territoriale, që është edhe shkaku i ftesës së bashkëpunimit ndërmjet opozitës dhe mazhorancës. Sipas të gjitha gjasave, takimi ndërmjet kreut të mazhorancës dhe kreut të opozitës duhet të realizohet në nivel kryetarësh. Në tryezën e takimit, nga krahu i opozitës pritet që të jenë edhe disa deputetë të PD-së, të cilët shquhen si mbështetës të Lulzim Bashës.
Javën që lamë pas, kryeministri Edi Rama i bëri një ftesë publike Lulzim Bashës për të arritur një konsensus për reformë territoriale, ku më pas u konkretizua edhe me një letër të hapur. Pas kësaj ishte Lulzim Basha i cili pranoi ftesën e bërë nga Rama, duke i shprehur atij edhe gatishmërinë ku krahas reformës territoriale, të diskutohet edhe për nisma të tjera që kërkojnë konsensus, ku ndër to është edhe rezoluta e përbashkët Shqipëri-BE.
Shkrimi u publikua sot (26.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)