Dritëro Agolli, 43 vite me Zylon e
kësaj dhe asaj kohe

Dritëro Agolli, 43 vite me Zylon e<br />kësaj dhe asaj kohe
Si i rezistoi kohërave “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Përkthimet në gjuhë të huaja. I pari e përktheu Kristian Gyt, ish-Drejtori i Arkivave dhe Kalorës Nderi i Francës. Më pas u përkthye në Gjermani, Itali, Greqi, Bullgari, Rusi, Maqedoni, etj

Zylo” me “shkëlqimin dhe rënien e tij”, një libër më se popullor në Shqipëri, por dhe në shumë vende ku ai është botuar mbush këtë vit 43 vite që kur për herë të parë u formua si personazh nga një prej njerëzve të rrallë të letrave shqipe, Dritëro Agolli.

Ai (Zylo) u shfaq së pari, si figurë në Revistën e vetme humoristike të kohës së komunizmit “Hosteni”. Një guxim rebel, hokatar dhe intiutiv, i kryeredaktorit të kësaj reviste, Niko Nikolla, i cili firmosi njëherëzi profesionalisht, pa një pa dy, fillimin e botimit të këtij libri, i cili ka arritur një numër rekord shitjeje të përgjithshëm me të paktën 75.000 mijë kopje. I botuar në revistën “Hosteni”, në vitin 1971, Zylo, vijoi historitë e tij deri në vitin 1972, kur revista botohej në 30 mijë kopje.

Do të ishte ky fluks i etur lexuesish për të shijuar të ndaluarën të veshur me nota të thella satirike sa edhe origjinale, që do të detyronte qeverinë e asaj kohe t’i jepte lejen në vitin 1972 të vetmes Shtëpi Botuese shtetërore në ate kohë “Naim Frashëri” të botonte Zylon me një tirazh sot për t’u patur zili: 21 mijë kopje. Këtë vit , Zylo vjen në ditëlindjen e tij nën këndvështrimin mbresëlënës të disa qindra mijëra lexuesve të shumë nacionaliteteve.

Një ditëlindje që do ta kishin zili shumë personazhe të krijuara në kohë të ndryshme, por që koha o i ka fshirë pa dashjen e saj, o i ka lënë të mbuluara nga pluhuri i kohës që ikën. Në fakt shumë gazeta të rëndësishme të Europës kanë bërë habi pas përkthimit dhebotimit në vendet e tyre , se si romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit të botohej në fillim të viteve ’70 edhe në Shqipëri …!!!

Fakti është se ai u botua, pavarësisht kritikave ideologjike, sikundër edhe u ble menjëherë duke detyruar Shtëpinë botuese që shumë shpejt të hedhë në treg botimin e tij të dytë me 5 mijë kopje.

Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari “në vijë”, romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është ndarë me talentin. Zyloja dhe Demka, shkurtime të emrave tradicionalë “Zylyftar” dhe “Demir”, ku nuk merret vesh ku fillon “modernizimi” dhe ku mbaron “përkëdhelja/ përqeshja”, e meritojnë plotësisht njëri-tjetrin. Të dy janë shkaktarë situatash që e bëjnë lexuesin të shkulet gazit, por edhe të pezmatohet disi. Produkt i njëri-tjetrit, ata janë njëherësh bashkëfajtorë për lëngatën që e vetëvuajnë.

Komizmi i figurës së Zylos buron nga kontradikta themelore e karakterit të tij: ai i jep vetes të tjera vlera nga ato që i takojnë, duke menduar se hierarkia shtetërore është edhe hierarki meritash. Shoku Zylo është një nga qindra e qindra nëpunësit e mesëm të një aparati shtetëror me shumë instrumente. Ai nuk është pa merita pune, diçka ka bërë për të mirën e saj, por këto merita në peshoren e shoqërisë kanë rëndesë shumë më të vogël se në mendjen e Zylos.

Në të vërtetë Zylo Kamberi është një figurë tragjikomike. Veprimet e tij të bëjnë të qeshësh, po aq sa edhe të ndiesh keqardhje. Zyloja nuk është një burokrat poterexhi, bujëmadh, i zhurmshëm. Arroganca e tij është e heshtur. Prepotenca e tij është me zë të ulët. Veprimet e tij përherë priren nga qëllime të mbara, por çojnë në gabime trashanike.
Sekreti i suksesit : analiza e hollë dhe djallëzore e hipokrizisë së pushteteve burokratike nëpërmjet figurës së jashtëzakonshme të drejtorit Zylo.

Sekreti i vazhdimit të suksesit : historia e Zylos vlen për të gjithë vendet dhe për të gjitha kohërat, sukses ky universal për të gjithë veprat që i kanë rezistuar kohërave, apo jo ?
I pari që ka përkthyer këtë libër ka qenë Kristian Gyt, ish-Drejtori i Arkivave dhe Kalorës Nderi i Francës. Më pas, libri është përkthyer në Gjermani, Itali, Greqi, Bullgari, Rusi, Maqedoni, fragmente të tij edhe në Danimarkë. Por, sikundër është logjike të jetë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, është një libër që prej vitesh vazhdon të bëjë pjesë edhe në programin letrar shkollor në të gjithë Shqipërinë .

Shkrimtari 83 vjeçar me një seri librash si në prozë ashtu edhe në poezi, pohon sot se “pavarësisht se e ka të vështirë të veçojë librat e tij, për të ndër më të prefuruarit vazhdon të mbetet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, libri i cili ‘vuajti’ nga kritika ideologjike në atë kohë, por që fatmirësisht nuk u ndalua.

“Është një libër nga më të mirët, që kam shkruar” thotë Agolli i cilësuar si “Kafka , me pak më shumë diell”, apo nga Alen Boske se, “Shqiperia na zbulon një autor me përmasa të mëdha …”

“Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë europiane”, shkruan Boske për shkrimtarin e madh i përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Po ku mund të jenë sot, pas tre dekadave e gjysëm jetë Zyloja dhe Demka i Dritëro Agollit ?
Një gjë mund të thuhet : përsëri ata duhet të jenë bashkë. Ndoshta mund të kenë ndërruar rolet… (!).
agolli






























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

'Ishin groposur brenda në fuçi' Gazetarja Banushi zbulon se ku ishin fshehur 3 mln euro cash që sekuestroi SPAK

'Ishin groposur brenda në fuçi' Gazetarja Banushi zbulon se ku ishin fshehur 3 mln euro cash që sekuestroi SPAK