Dritëro Agolli boton libër të ri me 
poezi për 85-vjetorin e lindjes

Dritëro Agolli boton libër të ri me <br />poezi për 85-vjetorin e lindjes
Shkrimtari Dritëro Agolli në 85-vjetorin e lindjes së tij do të na surprizojë me botimin e një libri të ri me poezi. “Prit edhe pak” titullohet libri, kopjen e parë të së cilit autori e ka marrë në dorë nga e bija Elona Agolli.

Ajo rrëfen se për botimin e këtij libri, shpesh u është dashur të përdorin edhe një lupë për të zbuluar shkronjat e zverdhura nga koha. Vajza e Dritëro Agollit, rrëfen lumturinë dhe gëzimin e papërshkruar të Dritëro Agollit për daljen në dritë të librit të tij të ri, kur ajo i dorëzoi kopjen parë.

Ndërsa libri “Prit edhe pak” pritet të hidhet në treg në ditën e lindjes së shkrimtarit, më 13 tetor, Elona ka postuar në statusin e saj në facebook disa çaste emocionuese, kur Agolli merr librin në dorë:

Më tha vetë: "Hajde të puth në ballë. Më gëzove që më solle librin e parë të dalë nga shtypshkronja sot", shkruan ajo. Në këto foto shihet sesi Dritëro Agolli i përkëdhelte fletët e librit të ri, si sheh shkronjat, vëzhgon kopertinën.  

Poezitë kanë qenë në dorëshkrim dhe botohen për herë të parë, dhe shumë prej tyre janë poezi dashurie, pohon vajza e shkrimtarit.

Ja disa vargje nga libri i ri, të shkruara nga Dritero Agolli në moshën e rinisë për dashurinë:

“Dashuria fillimisht është e turbullt.
Dashuron, po cilin aspak s'është e qartë
Dhe agimi kur vjen është i mugët,
Sendet s'kanë as formë e as trajtë.
 Dita zbret dhe gjërat dalin të plota:
Forma, trajta, konture e vija,
Dalëngadalë e tillë vjen bota,
Ja, fytyrën kështu e zbulon dashuria.”

Ky vëllim voluminoz me poezi të panjohura do të jetë edhe surpriza e ditës së mërkurë, paraditen e 13 tetorit, ku do të mbahet një konferencë jubilare me rastin e 85- vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.   

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ I vodhën me dhunë aparatet celulare një turisti, arrestohen 2 autorët

Tiranë/ I vodhën me dhunë aparatet celulare një turisti, arrestohen 2 autorët