Sasia prej 64 kg marijuanë, është kapur në vendin e quajtur “Hani i Delvinaqit” në afërsi të brezit të gjelbër kufitar mes rajonit të Gjirokastrës dhe Janinës. Mësohet se katër trafikantët e lëndës narkotike, e kishin marrë hashashin nga Lazarati mbrëmjen e të dielës dhe e patën çuar në afërsi të kufirit mes dy vendeve me mushkë dhe një pjesë të mirë të rrugës është përshkuar me këmbë.
Katër gjirokastritët me moshë nga 22-36 vjeç, udhëhiqeshin në këtë aksion, nga një grek i cili ka arritur t’i shpëtojë vëmendjes së policisë në momentin final. Greku emri i të cilit është Anesti Ciprianou, ka qenë drejtuesi i aksionit të trafikut të mariuanës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Ciprianou, me profesion inxhinier kimik, 39 vjeç, ka siguruar kalimin në një zonë qorre mes dy shteteve dhe më pas në drejtim të thellësisë së territorit grek. Aty shqiptarët teksa mbartnin me krahë tre çantat me 64 kg marijuanë, janë pikasur nga kufitarët grekë të cilët i ndaluan menjëherë dhe u transportuan për në Policinë Qendrore të Epirit.
Pasi janë shoqëruar, të katër gjirokastritët dy prej të cilëve nga Lazarati, kanë pranuar se marijuanën mundën ta kalojnë përmes kufirit të gjelbër, falë asistencës së Ciprianut i cili humbi pa lënë gjurmë. Policia i është vënë pas kimistit grek i cili mendohet se do ta përcillte marijuanën në Athinë. Ky është rasti i dhjetë në 30 ditët e fundit, që Policia Greke, identifikon dhe kap sasi marijuana të ardhur nga Shqipëria, si dhe transportuesit e saj.
(pn/im/shqiptarja.com)
