Përmes një deklarate për mediat, Ministri u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Mësohet se Ministri ka filluar një komunikim intensiv jo vetëm me drejtuesit e Policisë, por edhe me drejtuesit e agjencive të tjera, si Drejtorin e Shërbimit Informativ, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Prokurorin e Krimeve të Rënda, për të pasur një reagim më të koordinuar për të luftuar këtë fenomen.
Sipas ministrit Demiraj kjo luftë do të shtrihet që nga kontrolli tërësor i territorit të Republikës së Shqipërisë deri tek shkatërrimi i grupeve kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike dhe të implikuarve nga radhët e punonjësve të Policisë.
Raporti Europian i Drogave 2017: Shqipëria, rruga kryesore e trafikimit në Europë
Shqipëria përmendet për herë të parë me shqetësim në raportin vjetor Europian të Drogave të vitit 2017, publikuar gjatë ditës së sotme nga Qendra Europiane e Monitorimit të drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA).
Raporti bazohet në informacionin që EMCDDA merr nga shtetet anëtare të BE, shteti kandidat Turqia dhe Norvegjia. Ndryshe nga viti i kaluar, ku Shqipëria nuk përmendej, në raportin e 2017s vendi ynë veçohet si për rritjen e kultivimit të kanabisit ashtu dhe për faktin se ajo po bëhet një rrugë kryesore e trafikimit të narkotikëve në Europë.
“Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabis ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”, thuhet në raportin vjetor të EMCDDA për vitin 2017.
Në një publikim të mëparshëm të EMCDDA, “Raporti i Tregjeve të Drogave në Europë 2016”, në bashkëpunim me Europol, që botohet një herë të tre vjet, thuhet se vendet kryesore të prodhimit të kanabisit në rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Bullgarinë dhe në një far ëmase Kosovën, furnizojnë tregjet e Europës qendrore dhe Europës Lindore. Shqipëria duket të ketë qenë një prodhues i rëndësishëm (raporti i referohet dhe zhvillimeve në Lazarat dhe mbylljes së prodhimit aty).
Greqia, ku prodhohet gjithashtu kanabisi, është një pikë e rëndësishme hyrëse në BE për kanabisin shqiptar, që shpërndarhet në disa shtete anëtare, përfshirë Italinë, kroacinë, Hungarinë, Republikën Çeke dhe Austrinë. Një pjesë e kanabisit shqiptar mund të shitet dhe në Europën perëndimore, si në Gjermani, ose Francë. Për më tepër, Europol bën të ditur se kanabisi me fuqi të ulët trafikohet në Holandë dhe përdoret për të prodhues kanabis të fortë, që më pas destinohet për tregjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Shqipëria dhe Holanda duket të jenë nyjet kryesore të shpërndarjes për vajin afgan të kanabisit (Europol, 2015d), sipas raportit të Tregjeve të Drogave në Europë 2016 .
Në hartat e publikuara nga raporti, shihet që Shqipëria ndodhet si në rrugën e trafikut të barit të kanabisit, ashtu dhe të vajit të kanabisit.
Raporti thekson se grupet shqiptare të krimit të organizuar vlerësohet se janë të përfshirë në tregtimin e vajit Afganistan të kanabisit, kryesisht në Europën Qendroe dhe Lindore përmes Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Redaksia Online
J.SH/Shqiptarja.com