TIRANË – Ish-Kryeministri Berisha ka deklaruar mbrëmjen e sotme në Kuvendin e Shqipërisë se opozita do të marrë pjesë në ngritjen e Komisionit hetimor për trafikun e drogës nga bazat ushtarake, por me kushtin që në të mos përfshihen ata deputetë që kanë qënë të përfshirë në këtë trafik.

Berisha tha: “Jemi dakord ta krijojmë këtë komision me kusht që asnjë njeri i lidhur me drogën të mos futet në komision, që ka precedentë. Jemi dakord të bashkëpunojmë me ju por asnjë njeri që ka pasur lidhje të mos futet në komision dhe t’i shërbejmë vendit dhe shtetit.

Edhe komisionin e krijuat që Mimi të mos dilte para Komisionit, por ne do ju hetojmë ju një për një, kjo është e vërteta,”- theksoi ai.

Berisha e mbështeti këtë deklaratë në faktin se komisioni do të zbardhë të vërtetat e fshehura, pasi, siç iu drejtua ai socialistëve “ju i fshehët të dhënat e vrasjeve për katër muaj! I kam të nxjerra datë pas date nga deklarata e policisë.

Biznesmenit i vihet tritoli, policia thotë ishte gaz! Ishte gaz që në fillim, kur doli tritol!!! Po policia të mbajë njëhërë anën e atij që e pësoi, pastaj të thotë ishte gaz.

Ju rendin nuk e fusni dot më. Ju e nisën duke falsifikuar statistikat, duke mashtruar, se “padrinoja” në mendjen e tij ka Shqipërinë e mallkuar,"- përfundoi ai.

Redaksia online
(armanda shtembari/Shqiptarja.com)