TIRANE- Rrethinat e Tiranës janë kultivuese të drogës, ndërkohë që edhe në shkollat e kryeqytetit numërohen një sërë përdoruesish, por Policia Bashkiake nuk merr asnjë masë për shitësit ambulantë përreth tyre. Ky fakt është pohuar nga Prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi, i cili ka theksuar se kryeqyteti nuk konsiderohet si një nga zonat e nxehta për kultivimin e drogës, por ai është në këtë hartë.

“Tirana nuk është në hartën e vendeve problematike sa i takon kultivimit të lëndëve narkotike, edhe pse ka raste sporadike kur policia ka ndërhyrë. Më problematik është fakti i trafikimit dhe përdorimit të këtyre lëndëve të dëmshme për shëndetin për nëpër institucione arsimore, ku shitësit ambulant kanë gjetur një oaz për biznesin e tyre, pasi Policia Bashkiake edhe pse i është kërkuar në shumë raste të ndërhyjë nuk ka qenë e vëmendshme”, ka deklaruar Vorpsi.

Sipas tij, zonat më problematike në qarkun e Tiranës sa i takon kultivimit të lëndëve narkotike mbeten Baldushku, Bërzhita, Zall – Herr, Vaqarr, Ndroq, disa zona pranë Vorës, fshati Shën Gjergj etj, ku janë kapur mbi 200 rrënjë, ndërsa janë arrestuar dhe proceduar përgjegjësit. Kryetarët e komunave të djathta, edhe pse kanë marrë ftesa, nuk kanë pranuar të jenë pjesë e këtij takimi, i cili në thelb do të ketë diskutime mbi mënyrën se si duhet të qaset kjo problematikë, që ndikon në sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve të Tiranës”, theksoi prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi. Por, kjo deklaratë e prefektit në tryezën e zhvilluar me policinë ka sjellë një reagim të ashpër të Bashkisë. “Prefekti, “vegël” e Ramës për bllokimin e buxhetit, flet sot për bashkëpunim.

Injoranca e prefektit nuk njeh kufi. Policia Bashkiake nuk ka asnjë kompetencë për të kontrolluar trafikun e drogës dhe shpërndarjen e saj në shkollat e Tiranës, e cila është kthyer në një shqetësim të jashtëzakonshëm muajt e fundit dhe as kultivimin e saj në komunat përreth Tiranës. Prefekti zhvesh nga përgjegjësia përgjegjësit e kësaj situate dhe sulmon Bashkinë e Tiranës, ndërsa qytetarëve të saj u ka mohuar çdo shërbim duke u bllokuar buxhetin”, thuhet në njoftimin e Bashkisë. Por, replikat mes dy institucioneve nuk kanë ndalur, këtu pasi prefektura u kundërpërgjigj duke e quajtur të neveritshme gjuhën e Bashkisë së Tiranës. Tashmë pas përplasjes për buxhetin, Bashkia e Tiranës dhe Prefektura kanë gjetur edhe një tjetër arsye për të hedhur akuza dhe kundër akuza mes tyre. 

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)