Droga në Divjakë, ish-polici 
shpëtoi dy herë nga arrestimi

Droga në Divjakë, ish-polici <br />shpëtoi dy herë nga arrestimi
TIRANE- Ish-oficeri i policisë që ka organizuar trafikimin e 460 kg drogë më avjonin italian të drejtuar nga piloti Giorgio Riformato, mësohet se i ka shpëtuar dy herë operacioneve të agjentëve të policisë që ishin planifikuar për arrestimin e tij. Kur janë mbushur dy javë nga shpallja në kërkim të ish-efektivit të policisë, ky i fundit mësohet se u ka shpëtuar dy herë prangave të ish-kolegëve të tij.

Burime pranë prokurorisë i thanë gazetës “Shqiptarja.com”, se mbi bazën e informacioneve që ka pasur policia është ushtruar kontroll në dy banesa ku mendohej se strehohej ish-efektivi i policisë, baxhanak i të arrestuarit Saimir Bajrami. Në të dyja rastet nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë e ish-efektivët të policisë që ka shërbyer si specialist tek sektori i antidrogës në Fier dhe shef SHKB-je në Gjirokastër. Ka shumë dyshime se ai mund të jetë njoftuar nga struktura të veçanta të policisë, duke bërë që të largohet nga banesat ku ka ushtruar kontroll policia.

I afërmi i Kleviolit
Një person me inicialet G.D, në qytetin e Lushnjës është njëri nga të kërkuarit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. G.D, është banor i Lushnjës dhe se ka lidhje të afërta me shtetasin Kleviol Ahmeti të arrestuar disa ditë më parë në këtë qytet. Sipas prokurorisë shtetasi që ende nuk ka rënë në prangat e policisë së Shtetit, ka pasur rolin e paketuesit të drogës dhe njeriut që do ngarkonte çantat me hashash në avjonin që u ul në rërën e plazhit të Divjakës.

Së bashku me shtetasin me inicialet G.D, ish-efektivin e policisë dhe një person tjetër të shpallur në kërkim, numri i personave që kanë organizuar trafikimin e 460 kilogram drogë me avion nga Shqipëria në drejtim të Italisë, shkon në shtatë. Momentalisht në pranga për këtë çështje kanë rënë shtetasit Saimir Bajrami, piloti italian Giorgio Riformato, Kleviol Ahmeti dhe Aurel Pupa.

Baxhanaku
Kleviol Ahmeti, personi i katërt që u arrestua si bashkëpuntor i trafikimit të 460 kg drogë me avion nga Divjaka në Itali, pranon akuzat duke treguar se për këtë ngjarje ka marrë takim me Saimir Bajramin, ku kanë rënë dakort që Ahmetaj, së bashku me shokët e tij, të paketonin drogën. Përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda, Ahmetaj ka rrëfyer se kishte takuar në Divjakë shtetasin Bajrami, së bashku me një person tjetër, i cili është prezantuar se ishte shef komisariati.

“Këtë takim na e ka mundësuar një i afërmi im, duke më ofruar punë për paketimin e hashashit në çanta dhe ngarkimin e tyre në avionin që do ulej në plazhin e Divjakës.Jam takuar me Bajramin në ambientet e një hoteli në Divjakë. Bashkë me të ka qenë dhe një person tjetër, emrin nuk ia di, i cili tha se ishte baxhanaku i Saimirit. Ai ka dalë garant se gjithçka do shkonte shumë mirë, pasi dhe posta policore në Divjakë nuk do vepronte, pasi ai ishte shef komisariati dhe i njihte”-është shprehur Ahmeti.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)