VLORE- Policia e Vlorës bëri sot publike emrat e 8 shqiptarëve të arrestuar pas sasisë prej 160 kg drogë që policia greke sekuestroi dje pranë Konispolit.

Arrestimi i 8 shqiptarëve u bë pas shkëmbimit të informacionit mes policisë greke dhe asaj shqiptare.

Të arrestuarit janë: Shkëlqim Ramadan Cani, 30 vjeç, lindur në Librazhd, dhe me banim të përkohshëm në Sarandë; Erjon Festim Topi, vjec 31, lindur në Durrës, dhe me banim të përkohshëm në Sarandë; Dritan Isuf Delishi, vjec 26, lindur në Peshkopi dhe banues në Sarandë;
Elton Xhemal Troci, vjec 26, lindur Fushëkrujë dhe me banim të përkohshëm në Sarandë; Nertil Ruzhdi Allkja, vjec 25, lindur në Elbasan dhe banues në Shalës Cërrik; Fatimir Fari Dollomaja, vjec 24, banues në Korcë; Klevis Lezan Kolaveri, vjec 24, lindur dhe banues në Macuk Burrel; Fatos Bedri Mino, vjec 44, lindur në Përmet dhe banues në Sarandë.

“Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi nga informacionet e marra nga Shërbimet e Policisë Kufitare se një sasi lënde narkotike do të trafikohej nga territori Shqiptar në drejtim të territorit Grek”- thuhet në njoftimin e sotëm për shtyp të policisë së Vlorës.

Të arrestuarit dyshohet se kanë hyrë nga territori Grek në atë Shqiptar në mënyrë të paligjshme, për të bërë dhe transportimin e lëndës narkotike kanabis sativa. Në momentin kur kanë parë policinë greke të arrestuarit janë larguar duke hyrë sërish në kufirin shqiptar.
Policia dyshon se ata janë edhe personat që kanë kryer transportin e lëndës narkotike të kapur nga Shqipëria për në Greqi. Ndërkohë që në tokën greke u arrestua në flagrancë shoferi grek i cili po e transportonte drogën me automjet.  Ndaj tyre u ngrit akuza "Trafikim narkotikësh” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit".