Gjithçka varet nga vullneti i politikës në Tiranë. E ndërsa në vitin 2010 u duk se Partia Demokratike pati vullnetin për ta luftuar këtë fenomen, sot gjithçka është krejt ndryshe dhe me një situatë të kriminalizuar.
Në një kronikë të gazetarit të “Zërit të Amerikës”, Rajmond Kola, e cila mban datën 30 prill të vitit 2010, zëvendësdrejtori i policisë së shtetit, Agron Kuliçaj do të kërkonte mirëkuptimin e banorëve për të mos mbjellë më drogë.
Ndërsa kryetari i komunës do të garantonte qeverinë e Tiranës dhe nëndrejtorin e policisë se do bënte çmos me anë të një strukture të posaçme, për të frenuar mbjelljen e parcelave me drogë.
"Situata është shumë më pozitive, duhet të jetë shumë më rreptë. Ne kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe mbështetjen tuaj. Jeni ju ata që me familjet tuaja, komshinjtë tuaj, me gjithë rrethin tuaj - pasi është një zonë shumë e kufizuar dhe lidhjet me njëri-tjetrin janë shumë të forta - ta përcillni këtë mesazh", u shpreh Kuliçaj në Lazarat me banorët.
Por krejt e kundërta ndodh dy vite më pas’ situata e drogës në vitin 2012 do të ishte e njëjtë. Sekuestrime, arrestime, por asnjëherë këto veprime të policisë nuk do të kryheshin në brendësi të fshatit Lazarat.
Ndërsa i zgjedhuri i PD-së për të drejtuar Lazaratin, Dashnor Aliko do të ndryshonte qëndrime, duke deklaruar për mikrofonin e "Vizion Plus" më 13 prill të 2012 se "nuk ka asnjë parcelë me hashash dhe policia s’ka arrestuar askënd nga Lazarati, duke kërkuar nga uniformat blu emra konkretë".
"Ne do mundohemi t’i dërgojmë shtetit mesazhin, se ne në bashkëpunim me miqtë tanë, djemtë tanë, që janë policë në policinë e Gjirokastrës, se do kontrollojmë çdo baçe, çdo cep, çdo qelizë, që në Lazarat mos ketë asnjë rrënjë Cannabis Sattiva", u shpreh Dashnor Aliko.
E ndërsa dy muaj më pas po në vitin 2012 do të ishte drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili do të kërkonte nga media qoftë edhe filmim me parcela hashashi e më pas ai do të ndërhynte menjëherë.
4.5 miliardë euro do të deklaronte dy javë më parë Guardia di Finanza është xhiro e hashashit, që prodhohet e tregtohet nga Lazarati, dorëzuan plot filmime, harta dhe imazhe për policinë shqiptare. E kur u mendua se të nesërmen e asaj konference do të ndërhyhej, duket se Policia e Shtetit është dorëzuar para Lazaratit.
Redaksia Online
(a.r/mag/shqiptarja.com)