Skandali me operacionin te 'Varri i Bamit', policët merren në pyetje për aksionin e dështuar! Flet pas dëshmisë në Prokurori gazetari që u shtri barkas nga efektivët: Dorëzova 2 videot që filmova vetë

TIRANË- Sot 6 protagonistëve të aksionit të dështuar të operacionit të drogës te ‘Varri i Bamit, po u merren deklarimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Tiranë. Bëhet fjalë për 5 efektivët e policisë, të cilët trafikanti iu iku nga duart në mënyrën më spektakolare. E pasi nuk arritën që të ndalonin trafikantin e drogës, efektivët i kthyen gazetarit Ergys Gjençaj duke e shtrirë përtokë vetëm për faktin se ai po filmonte këtë operacion, ku policia dështoi për ta finalizuar me arrestimin e trafikantëve që po shkëmbenin kokainë. Efektivët e policisë  iu "sulën" gazetarit duke e rrëzuar mbi asfalt duke e "çarmatosur" duke i marrë celularin nga dora, duke bërë me përfaqesuesin e medias atë që do të duhej të bënin me trafikantët, që i lanë të ikin.

Pak minuta më pas, Policia arrestoi Gentian Koren, 47 vjeç, Taulant Çokun, 34 vjeç, Altin Gegen, 28 vjeç dhe Erion Prengaj 32-vjeç. Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin kokainë duke e fshehur në kuti picash, aktivitet që e zhvillonin në biznesin e Gentian Kores, në rrugën “Kujtim Laro”. Në fund u kap një sasi prej 1.128 kg kokainë në një kuti pice që ishte hedhur poshtë një makine nga një prej trafikantëve, teksa nuk dihet nëse në Mercedez ka pasur një tjetër sasi droge apo edhe armë, që mund të jenë hequr më pas.

Report TV siguroi një ditë më parë pamjet e momenteve kur agjentët e operacionales i drejtohen një mjeti tip “Mercedez Benz” brenda të cilit ishte Gazmir Cani të cilit i kërkojnë të ndalojë dhe të hapë derën. Drejtuesi i mjetit Gazmir Cani refuzon urdhrin e policisë për të ndaluar, duke i dhënë makinës me shpejtësi, duke rrezikuar njërin prej efektivëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Megjithatë, arratia e trafikantit nuk i zgjati shumë pasi efektivët e kapën vetëm pas disa minutash.

Pamjet e filmuara tregojnë një mungese totale profesionalizmi nga forcat  Operacionale të Tiranës të përfshira në operacion, të cilat nuk morën asnjë masë për të penguar makinën me trafikantin brenda saj që të largoheshin pa asnjë lloj pengese. Policët ishin të armatosur, por këmbëngulën vetëm që keqbërësit të hapnin dyert nga brenda. Do të mjaftonte të thyenin xhamin e makinës apo të vendosnin përpara Mercedesit një mjet të policisë për të shmangur këtë figurë amatoreske që ata bënë. Ligjërisht ato dje kishin të drejtën që të përdornin edhe armën për të shtënë në ajër, por për t’i shpuar gomat makinës, por ato nuk e kanë bërë një gjë të tillë, madje kanë rrezikuar edhe veten e tyre. Në momentin që trafikanti po largohej, ai i ka marrë përpara me makinë, çka vë në dukje edhe një përgatitje fizike jo të mirë të forcave operacionale në vendin tonë. "Ndal Policia"! Kështu duhet të thonin policët në momentin që po ndalonin trafikantin e drogës, por gjuha e përdorur prej tyre ishte jashtë çdo normave etike, ku në videon që solli Report Tv u dëgjuan edhe një fjalor banal, që shkon në kundërshtim me uniformën e Policisë. Pikërisht ky fjalor, por edhe sjellja e gabuar me gazetarin i ngarkon me përgjegjësi penale dhe ndaj tyre pritet të merret masë ndëshkimi.

Një tjetër detaj që Report Tv ka mësuar ditën e sotme është se në këtë operacion nuk kemi të bëjmë me agjentë të infiltruar brenda këtij grupi kriminal dhe as nuk do të bëhej një dorëzim i kontrolluar i parave kundrejt sasisë së kokainës, por ishte bërë një plan masash për të kapur trafikantët, ndonëse ai dështoi. Hetimet janë shtrirë edhe nëse ka pasur dekonspirim lidhur me këtë operacion.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:29
Operacioni i dështuar te 'Varri i Bamit', si efektivët nuk ndoqën planin e ndërtuar nga Policia! S'përdorën mjetet që kishin në dispozicion dhe lejuan trafikantin të largohej

1627468319_Screenshot2.jpg

Gazetari i 'Report Tv', Arsen Rusta ka bërë me dije të tjera detaje për atë se çfarë shkoi keq në operacionin e dështuar të Policisë, që u zhvillua një dite më parë te "Varri i Bamit". Rezulton se ka patur një plan operacional, pasi ky grup i shpërndarjes së drogës ka qenë në ndjekje nga policia prej disa kohësh, por që nuk u zbatua siç duhej nga efektivët në terren.

Ditën e djeshme, Forcat Operacionale të Tiranës ndërhynë në kushtet e flagrancës, pasi po transportoheshin me dy kuti picash një sasi prej 1 kilogramë e 128 gramë kokainë.  Në momentin që u neutralizuan dy persona dhe u lokalizua një i tretë, Policia ka hasur në kundërshtimin e Gazmir Canit. Ai ka refuzuar të hapë dyert e automjeti tip 'Benz' dhe të dalë nga makina, ndërsa nuk i është bindur as postbllokut për të ndaluar.

Ka qenë pikërisht ky moment ku, sipas hetimeve të SHÇBA, plani operacional nuk është zbatuar siç duhet nga agjentët, pasi ata kishin si logjistikë motorë e automjete për t'i vendosur si bllokadë, për të ndaluar automjetin e Canit, që u kap disa minuta më vonë në një zonë tjetër të Tiranës.

SHÇBA dhe prokuroria, pritet që sot pasdite të kenë një raport final mbi veprimet e efektivëve të pranishëm në operacion, për t'ja dorëzuar Veliut që do të marrë masat për efektivët. Gazetari Rusta bën me dije se prite pezullimi i disa prej efektivëve për mosrespektim të planit operacioni dhe për sjelle joprofesionale, ku në momentin e largimit të personit të dyshuar, ata i 'hakërrehen' gazetarit Ergys Gjençaj, i cili po filmonte aksioni, duke e shtrirë barkas në rrugë.

Ora 12:03
Policia e shtriu përtokë pasi nuk kapi dot trafikantët, gazetari tregon se çfarë dëshmoi në Prokurori: Dorëzova 2 videot që filmova vetë

Gazetari Ergys Gjençaj ka dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë e Tiranës i cili ka deklaruar se ka dorëzuar 2 video që i kishte filmuar me celularin e tij.

“U thirra nga ana e Prokurorisë për të dhënë dëshminë time përsa i përket ngjarjes së djeshme. Unë e kreva detyrën time, dhashë dëshminë time, duke treguar gjithë dinamikën e ngjarjes. Po ashtu dhashë edhe dy videot e regjistruara nga aparati im celular dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse të apeloj që institucionet e drejtësisë të hedhin dritë mbi ngjarjen dhe të vendosin drejtësi,”- u shpreh në prononcimin e tij gazetari Gjençaj.

K.T./B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë