TIRANE - Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim depozitojnë në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për zbardhjen dhe verifikimin e fakteve që provojnë apo përgënjeshtrojnë akuzat e bëra publike nga opozita se infrastruktura e Forcave të Armatosura është përfshirë në trafikun e drogës.

Deputeti socialist Taulant Balla, që njëkohësisht është edhe nënkryetar i grupit parlamentar të partisë më të madhe në mazhorancë, ka depozituar një kërkesë për ngritjen e një komisioni të posacëm hetimor, për të zbardhur të vërtetën.Në kërkesë argumentohet se ky komision do të hetojë dhe marrë në shqyrtim çdo deklaratë, për të vërtetuar nëse bëhet fjalë për akuza politike, apo të bazuara.

“Ngritja e këtij komisioni, shikohet si një garanci për të provuar ose në të kundërt për të përgënjeshtruar akuzat e ngritura nga përfaqësues të lartë politikë. Ky Komision Hetimor Parlamentar do të kërkojë administrimin e provave dhe fakteve, mbi të cilat këta përfaqësues të lartë politikë kanë mbështetur akuzat e tyre kundrejt Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për vënien në dispozicion të disa bazave ushtarake dhe të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: “transport i lëndëve narkotike”.

ballaBalla, veçon si prioritare se zbardhja e arsyeve të akuzave të Partisë Demokratike, është me rëndësi për imazhin e Forcave të Armatosura dhe mos cënimin e punës në përmbushje të angazhimeve nga anëtarësimi në NATO.
 
“Këto akuza nëse nuk mbështeten në prova dhe në fakte dëmtojnë rëndë imazhin dhe perceptimin publik në lidhje me Forcat e Armatosura, si brenda vendit ashtu dhe në arenën ndërkombëtare”, lexohet në deklaratën e deputetit Balla.
 
Por pavarësisht akuza që vijnë nga deputetët demokrat, deri tani, nuk ka patur asnjë provë konkrete që të vërtetojë këto pretendime. Vetë ministrja e Mbrotjes Mimi Kodheli, ka përjashtuar në mënyrë kategorike keto akuza. Ndërsa presidenti Bujar Nishani që është edhe komandati i Forcave të Armatosura, nuk ka dhënë asnjë deklaratë.


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)