Droni dhe dhuna, Arbitrazhi vendos
para 13 qershorit për Serbi-Shqipëri

Droni dhe dhuna, Arbitrazhi vendos<br />para 13 qershorit për Serbi-Shqipëri
Para 13 Qershorit do të jepet vendimi i arbitrazhit për fatin e ndeshjes së futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë të luajtur më 14 tetor në Beograd, por që u ndërpre pas ngritjes së dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe dhe dhunes qe shpertheu ne fushen e blerte.
 
Njoftimi i kësaj date është bërë nga Gjykata e Arbitrazhit për Sportin (CAS) një ditë pasi u dëgjuan pretendimet e të dyja palëve në seancën gjyqësore maratonë prej 11 orësh në Lozanë të Zvicrës ( në ditë të veçanta).
 
CAS shkruan në faqen zyrtare se pas dëgjimit të ankesave të Shoqatës shqiptare të Futbollit dhe asaj serbe, Gjykata është tashmë në proces vlerësimi dhe se vendimin përfundimtar do ta japë para 13 qershorit, datë kjo para ndeshjes së radhës për kualifikimin në kampionatin Europian Francë 2016.

Presidenti i FSHF-së Armando Duka tha dje në përfundim të seancës në Lozanë se Shqipëria i qëndron kërkesës për të marrë 3 pikët në tavolinë. Ai tha se për herë të parë u fol edhe për çështjen e racizmit në Serbi gjatë ndeshjes me kuqezinjtë.
 
 “Shqipëria duhet të marrë atë ndeshjen në tavolinë, sepse ndeshja nuk është ndërprerë për arsye të ekipit shqiptar, por për arsye të mungesave organizative nga ekipi serb, për arsye të dhunës dhe racizmit të shprehur nga huliganë dhe tifozë në stadium. Dhe nga dëshmitë e djeshme është thënë e njëjta gjë, që ekipi shqiptar nuk ka refuzuar të rrijë në fushë. Ekipi shqiptar është dhunuar nga tifozët serbë dhe e ka pasur të pamundur të kthehet në fushën e lojës dhe nga ana tjetër nuk ka pasur asnjë urdhër të qartë nga arbitri. Edhe sikur të kishte një urdhër të tillë, loja nuk mund të vazhdonte sepse kishte rrezik për gjithë futbollistët shqiptarë” u shpreh presidenti i FSHF, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Shqipëria u përfaqësua në Gjykatë nga avokati Artan Hajdari dhe nga një avokat italian Antonio Rigozzi, i cili i ka kërkuar panelit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv që të merrte në konsideratë thirrjet raciste të tifozërisë serbe dhe të përjashtonte Serbinë nga eliminatoret Euro 2016”.
 
Ndërsa pala serbe shpreson në heqjen e ndëshkimit të 3 pikëve pas incidenteve, gjë që do ta fuste në garë për kualifikueset e kampionatit Europian. Por një gjë e tillë është shumë e vështirë që të ndodhë, pasi sipas të gjitha gjasave pritet që Gjykata t’i japë të drejtë Shqipërisë duke i dhënë pikët e plota. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë atëherë Shqipëria do të merrte kryesimin e grupit me 10 pikë në 4 ndeshje, me 3 fitore dhe një barazim duke qenë thuajse e kualifikuar, ndërsa Serbia do të humbte plotësisht shpresat për këtë edicion.
 
Pas ndërprerjes së ndeshjes UEFA dënoi Shqipërinë duke i dhënë fitoren në tavolinë Serbisë. Shqipëria mori edhe gjobë 100 mijë euro, ndërsa Serbia për të balancuar politikisht dënimin u dënua me heqjen e tre pikëve të fituara ndaj Shqipërisë duke zeruar takimin, me 100 mijë euro gjobë dhe 2 ndeshje pa tifozë.  Të dyja palët apeluan vendimin duke e çuar çështjen në Arbitrazhin Sportiv.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Nga peshku te veza cilat janë ushqimet që forcojnë kujtesën dhe rrisin përqendrimin

Nga peshku te veza cilat janë ushqimet që forcojnë kujtesën dhe rrisin përqendrimin