Paraqitja heroike e portierit të Kepit të Gjelbër, Vozinha (Josimar Jose Evora Dias), në barazimin pa gola ndaj Spanjës në Botërorin 2026 vazhdon të tërheqë vëmendje jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.
Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se po punon për të ndihmuar nënën e portierit 40-vjeçar të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të ndjekë nga afër ndeshjet e djalit të saj në Kupën e Botës.
Pas sfidës me Spanjën, Vozinha zbuloi se nëna e tij nuk kishte mundur të ishte e pranishme në stadium për shkak të vështirësive me procedurat e vizës.
“Ajo nuk arriti të vinte për shkak të vizës dhe kostove që duhej të paguheshin. Nuk ia dolëm në kohë dhe do të doja shumë që të ishte këtu”, deklaroi portieri për gazetarët.
Megjithatë, autoritetet amerikane sqaruan se nuk ekziston asnjë aplikim për vizë në emër të nënës së Vozinhas dhe theksuan se familjarët e futbollistëve pjesëmarrës në Botëror përfitojnë përjashtim nga pagesat shtesë të kërkuara për disa shtetas të vendeve pjesëmarrëse.
“Familjarët e lojtarëve janë të përjashtuar nga detyrimi i garancisë financiare për vizë. Aktualisht po kontaktojmë familjen e lojtarit për t’i ndihmuar me procedurat”, bëri të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas burimeve pranë çështjes, pengesa kryesore është se nëna e Vozinhas aktualisht nuk disponon një pasaportë të vlefshme dhe ndodhet në procesin e pajisjes me dokumentet e nevojshme.
Ndërkohë, Vozinha vazhdon të jetë një nga historitë më të bukura të këtij Botërori. Portieri veteran realizoi shtatë pritje ndaj Spanjës, duke udhëhequr kombin e tij drejt një rezultati historik në ndeshjen e parë të Kupës së Botës.
Performanca e tij ka bërë jehonë në mbarë botën, ndërsa popullariteti në rrjetet sociale është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Tani, ai synon të vazhdojë surprizën me Kepin e Gjelbër në përballjen e radhës ndaj Uruguait.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente





