Kryeministri Edi Rama tha se protestuesit dhe disa televizione kërkojnë 'kokën' e tij, por deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen dhe do të qëndrojë në detyrë deri në ditën e fundit të mandatit dhe kontratës që ka me shqiptarët.

“Të tërë këta thonë se duan kokën time por nuk jap dorëheqjen”, u shpreh Rama, duke shtuar se ai dhe shumica qeverisëse janë pengesa mes dhunuesve dhe Shqipërisë që po ecën përpara.

Kryeministri akuzoi gjithashtu disa televizione se financohen me para të pista dhe se u bëjnë jehonë akteve të dhunës ndaj policisë.

"Detyra më ka çuar tërë këto vite në çdo skaj e skutë të Shqipërisë, ku kam takuar një pafundësi njerëzish e kam parë një pafundësi realitetesh familjare të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. 

Por mes pafundësisë së dritave e të hijeve të realitetit tonë, kam parë qartësisht se sa ndryshe, se sa e sa herë më e thellë në shpirtin e saj dhe më e kthjellët në mendjen e saj, është Shqipëria që nuk përfaqësohet as nga kjo turmë agresorësh të hapësirës publike - qoftë në rrugët e Tiranës, qoftë në pasqyrat e ajfonëve (iPhone) - e as jo e jo, nga ekranet e korruptuara televizive, ku një luzmë urrejtësish profesionistë dhe VIP-ash e tipash që jetojnë në luksin e evazionit fiskal, janë bërë këto javët e fundit një kor si të dehurish nga kënaqësia e dhunës.

Të tërë këta, në rrugë dhe në ekran, thonë se duan ‘’kokën time’’, po në fakt unë me shumicën që qeveris, jam pengesa e madhe mes tyre dhe asaj Shqipërie që i ka lënë pas rrëmujat, borxhet , shëmtinë urbane që rrit me punë e me mund ekonominë e saj, investimet, pagat e pensionet, që e lufton korrupsionin e krimin me një drejtësi të pavarur, pa parë  majtas, pa parë djathtas, që sjell në derë 12 milionë e më shumë turistë çdo vit, që respektohet ndërkombëtarisht si asnjëherë me parë dhe që po negocion me Bashkimin Europian mbylljen e kapitujve të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

Ata që urrejtja, për arsye nga më të ndryshmet, i pengon ta shikojnë dhe ta pranojnë këtë Shqipëri në transformim historik, e cila ka probleme e halle sa të duash, po njëkohësisht hedh çdo ditë hapa përpara, me këtë shumicë qeverisëse dhe me punën e shumicës dërmuese të shqiptarëve, janë absolutisht në të drejtën e tyre të kritikojnë, të protestojnë, të kërkojnë dorëheqjen time, sa në rrugë dhe sa në ekrane, por unë jam dhe do të jem në krye të detyrës sime, deri ditën e fundit të kontratës me njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë, që ma kanë besuar këtë detyrë për të bërë ç’mosin tim për këtë vend të bekuar, dhe jo për t'u ardhur pas avazit atyre që thonë jemi studentë dhe shkulin gurët e bulevardit, që të godasin policinë apo atyre që thonë jemi media, dhe i mbajnë ndezur antenat e tyre me para të pista, për t'i bërë himne dhunës ndaj policisë apo i ushqejnë me zarfa në dorë dhunuesit me kravata e me dekolte alla Big Brother të ekraneve të tyre" tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Paketa fiskale dhe buxheti 2027, Rama: Hiqet taksa e qarkullimit te karburantet, ulet me 32 lekë/litër çmimi! Për 54 artikuj ushqimorë, TVSH shkon 6 % (VIDEO)