Qendra e qytetit të Dublinit u vu në gjendje gatishmërie pasi një bombë u zbulua në një ndërtesë zyrash në Merrion Square, në afërsi të vendit ku një natë më parë kishin darkuar liderët e Komunitetit Politik Europian. Kujtojmë se në darkën zyrtare të së enjtes, merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Pas sinjalizimit, ekspertët e ushtrisë irlandeze mbërritën në vendngjarje dhe neutralizuan pajisjen, të cilën policia e cilësoi si primitive, por funksionale. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja u regjistrua në sheshin Merrion Square, në kryeqytetin irlandez, duke shkaktuar shqetësim për shkak të afërsisë me ambientet ku ishte organizuar darka zyrtare e liderëve pjesëmarrës në samitin dyditor.
Siç raporton Reuters, pajisja u konstatua fillimisht nga autoritetet si një objekt i dyshimtë brenda një ndërtese zyrash. Pas njoftimit, policia irlandeze, e njohur si Garda ndërmori veprimet e para dhe kërkoi ndërhyrjen e specialistëve të Forcave të Armatosura për trajtimin e mjeteve shpërthyese.
Ekspertët e njësisë së specializuar për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, Explosive Ordnance Disposal (EOD), mbërritën në vendngjarje dhe pas ndërhyrjes arritën ta neutralizonin pajisjen.
Në deklaratën e saj, policia irlandeze bëri të ditur se pajisja ishte artizanale, por funksionale, çka nënkuptonte se mund të përbënte rrezik real.
“Bazuar në vlerësimin fillestar të Garda-s, iu kërkua ekipit të çaktivizimit të mjeteve shpërthyese të Forcave të Armatosura të shkonte në vendngjarje. Ekipi EOD e ka bërë të sigurt atë që është një pajisje artizanale, por funksionale”, thuhej në deklaratën e policisë.
Autoritetet konfirmuan gjithashtu se për rastin ka nisur një hetim, ndërsa deri më tani nuk kanë dhënë detaje se kur mund të jetë vendosur pajisja në ndërtesë, sa kohë kishte që ndodhej aty apo kush mund të jetë përgjegjës për të.






Komente
Komento