Burime pranë policisë, bëjnë me dije se operacioni po vijon ndërkohë që deri tani janë asgjësuar 20.000 bimë të kultivuara në 99 parcela dhe bimë narkotike e thatë.
Të njëjtat burime thonë se, nga nisja e këtij operacioni ka rënë në pranga kreu i Njësisë Administrative Pult, Tom Marku në tokat e të cilit janë gjetur 5 parcela në të cilat janë kultivuar rrënjë bimësh narkotike si dhe kreu i fshatit Kir, Ndue Kopshtaj 31-vjeç.
Po ashtu, është sekuestruar dhe një armë zjarri Shotgan dhe janë shoqëruar tre persona në zonën e Pultit.
Aksioni dy ditorë i policisë vijon me intensitet, ndërkohë që në të marrin pjesë 200 forca të FNSH-së dhe policisë lokale.
Foto të tjera..
Ja njoftimi për shtyp i policise Shkodër.
Sekuestrohen 2 kg e 963 gr lëndë narkotike
Arrestohet Kryeplaku i fshatit Kir, administratori i Njësisë Administrative Pult, dhe 1 shtetas
Më datë 29.08.2016, në kuadër të plan operacionit për evidentimin dokumentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, në njësinë administrative Pult Shkodër është ushtruar kontroll në fshatin Kir, ku janë gjetur disa parcela të kultivuara me bimë narkotike Cannabis Sattiva si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në dy banesa u gjet bimë narkotike në gjendje të tharë në formë boçeje.
Konkretisht :
Tek banesa e shtetasit Tom Marku, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 kg 303 gr lëndë narkotike si dhe një armë gjahu me 6 fishekë.
Tek banesa e shtetasitt Nikolin Deda, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 kg e 660 gr lëndë narkotike.
U kryen veprimet hetimore e procedurale, ku si rezultat u bë ndalimi i shtetasve :
1. Tom Marku, 60 vjec, banues në Shkodër, (Administrator i njësisë administrative Pult), për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Shpërdorim i detyres” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë sportive” parashikuar nga nenet 284, 283, 248 dhe 280 të Kodit Penal.
2. Nikolin Deda, 29 vjec, banues në Grudë Re, Shkodër, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikeve” parashikuar nga nenet 284 dhe 283 të Kodit Penal .
3. Ndue Kopshtaj, 31 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër, Shkodër ( Kryeplak i fshatit Kir), njësia administrative Pult Shkodër, për veprat penale “Kultivim i bimeve narkotike”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojne zbulimin e së vërtetës” parashikuara nga nenet 284, 300, dhe 301 të Kodit Penal.
Materialet i’u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.
Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)