Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut vlerëson propozimin e OSBE-ODIR për komisione zgjedhore jo partiake të të gjitha niveleve. Kështu është shprehur kryetari I PBDNJ-së Vangjel Dule pas takimit me Kreun e Misionit Monitorues të OSBE-ODIR, Audrey Glover, me të cilën ka ndarë shqetësimet për problematikat e hasura në zgjedhjet vendore.

“Vlerësojmë propozimin  e OSBE-ODIR për komisione zgjedhore jo partiake të të gjitha niveleve. Për PBDNJ , përbërja e komisioneve kanë qenë rrënja e së keqees. Duhet që me çdo kush t’i pritet rruga një herë e mirë si nëpërmjet ngritjes së ndërgjegjes së votuesve por edhe ndërmjet masave ndëshkuese fenomentit më negativ që mund të ketë një process zgjedhor që është shitblerja e votës. Në demokraci kemi tregun e ideve, jo të mallrave. Zgjedhjet kërkojnë qytetarë dhe jo thjesht të shpërblyer,” tha Vangjel Dule.

Dule e cilësoi raportin e misionit vëzhgues të zgjedhjeve vendore, si më të mirin në rradhët e raporteve të hartuara nga OSBE-ODIR.

“Vetëm kjo punë e nisur nga komuniteti ndërkombëtar ndërmjet OSBE-ODIR  për identifikimin e problematikave të zgjedhjeve duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me implementimin absolut të të gjitha rekomandimeve, me qëllim nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e vende të juridiksionit të OSEB-ODIR për zgjedhje problematike. Nuk nderon askënd të gjendemi ende mes shteteve me zgjedhje politike apo administrative me problem”, pohoi kreu i PBDNJ.

Dule tha se  ka ardhur koha që minoritarët të kenë fletë votimi në gjuhën e tyre amtare. “Në takimin me Glover, u diskutuan edhe aspekte që kanë të bëjnë me zgjedhjet në hapësirat ku jetojnë minoritetet, pasi e kërkon koha që fletët e votimit në zgjedhjet e ardhshme të jenë në gjuhën amtare të minoritetevem një praktikë kjo evropiane dhe e domosdoshme për Shqipërinë”, përfundoi Dule.




Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)