TIRANË- Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë merret zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Numri dy i qeverisë mbërriti këtë të premte në SPAK, ku prokurori Dritan Prençi  i komunikoi akuzën ‘Shkelje e Barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”. Balluku kishte zgjedhur si mbrojtëse ligjore motrën e saj Pamela Qirko, ish-anëtare e KPK.

Pas rreth 50 minutave brenda ambienteve të SPAK, numri i dy i qeverisë tha se ishte thirrur për një çështje në hetim, por pa detajuar se cila ishte ajo.

“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e prokurorisë së posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike e shikoj si një proces, një proces si cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet drejtësisë teke cila besoj”, tha ajo.

Por, gjithçka u sqarua vetëm disa minuta me pas. SPAK doli me njoftim zyrtar ku sqaroi, se ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas njoftimit zyrtar, Balluku akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, që në gjuhë të thjeshtë do të thotë dyshim për favorizim apo trajtim të pabarabartë të kompanive që marrin pjesë në një tender publik.

Hetimi lidhet me projektin e madh për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e rrugës Orikum Himarë, që është një seksion i autostradës Vlorë -Sarandë. Ky tender është hapur fillimisht më 11 dhjetor 2020, por më pas është anuluar dhe rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH.

SPAK thotë se, në cilësinë e ministres, Belinda Balluku ka kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi. Për këtë arsye, më 21 tetor 2025, SPAK i ka dërguar asaj njoftimin zyrtar për akuzën. Ministrja ka kërkuar shtyrje të paraqitjes, ndërsa prokuroria e ka ftuar të paraqitet kete te premte, më 31 tetor, në orën 15:00, për t’u njohur me akuzën dhe për të dhënë shpjegimet e saj.

Në njoftimin e tij SPAK saktëson se “deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”. Një formulim që qartazi lë të kuptojë se Prokuroria e Posaçme po heton dhe tenderë të tjera që përfshijnë Ministrinë e Drejtuar nga Balluku.

Gatë deklarimit në Parlament, kreu I SPAK, Altin Dumani pohoi se nën hetim është dhe Aeroporti i Vlorës, ndërsa kanë nisur verifikimet paraprake dhe për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar.

Tuneli i Llogarasë është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, dhe hetimi i SPAK lidhet me mënyrën se si është zhvilluar dhe menaxhuar procedura e tenderit për ndërtimin e tij. Të hënën po për ketë tender janë thirrur për tu komunikuar akuzën edhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës mes tyre edhe kreut aktual të ARRSH, Gentian Gjyli. Hetimet e SPAK nisen pas arrestimit e ish-kreut te ARRSH Ervis Berberi në telefonin e të cilit u gjetën komunikime me vlerë për hetimet.

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.

Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:20
Balluku në SPAK, Bardhi: Rama duhet ta shkarkojë menjëherë! Të kërkohet burgosja si për kolegët e saj

1760608898_gazmentbardhi.jpeg

Gazment Bardhi

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, thotë se marrja e Belinda Ballukut si të pandehur nga SPAK, duhet të pasohet me “zhveshjen” e saj nga çdo pushtet qeveritar dhe shtetëror.

Në një reagim të gjatë, Bardhi thotë edhe se SPAK duhet t’i kufizojë lirinë Ballukut, pasi për të njëjtën vepër penale në ngarkim të saj, sot ka zyrtarë dhe pushtetarë të cilët ndodhen prapa hekurave.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

Marrja e pandehur nga SPAK e numrit 2 të qeverisë, ka nxjerrë lakuriq Edi Ramën si mbrojtës dhe garant i korrupsionit. Ai ndryshe flet dhe ndryshe vepron.

Një kryeministër që pretendon se mbështet luftën kundër pandëshkueshmërisë, nuk mund të mbajë si krahun e vet të djathtë një të akuzuar nga drejtësia për vjedhjen e 50 milionë eurove në Tunelin e Llogarasë.

Në çdo vend normal, Kryeministri do ta kishte shkarkuar menjëherë një zyrtare të lartë të pandehur me një akuzë të tillë për tenderat publikë. Vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës, një e pandehur për një dëm prej 50 milionë eurosh ndaj shtetit vazhdon të qendrojë më majat e pushtetit dhe të ketë në dorë fonde publike e tendera të tjerë qindra milionësh.

Duke e mbajtur në detyrë, Edi Rama pengon drejtësinë dhe krijon rrezikun që provat e hetimit të manipulohen apo të zhduken. Kjo të çon në një përfundim të ditur për shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë: në krye të çdo afere të madhe korruptive, në krye të çdo abuzimi me tenderat e mëdhenj, në krye të çdo koncesioni të rëndësishëm është Edi Rama.

Por sot, është bërë e qartë edhe diçka tjetër me rëndësi për shoqërinë tonë të zhgënjyer nga korrupsioni kaq masiv: kallëzimi që bëra për tenderin e Tunelit të Llogarasë, për të cilën Belinda Balluku është marrë e pëndehur, nuk kanë qenë një akt thjesht partiak opozitar, por një shërbim madhor për interesin publik. Një shërbim ndaj qytetarëve që duan ndershmëri dhe llogaridhënie.

Opozita do të ndjekë me vëmendje çdo hap të mëtejshëm të hetimit dhe do të kërkojë pezullimin e menjëhershëm të Belinda Ballukut nga çdo detyrë publike për të garantuar që drejtësia të bëjë punën e saj pa ndërhyrje politike.

Dhe pavarësisht kësaj, SPAK ka detyrimin të ruajë të njëjtin standard. Për veprën penale në ngarkim të Belinda Ballukut ndodhen sot në qelitë e burgut disa zyrtarë publikë me shumë më pak rëndësi dhe pushtet se Belinda Balluku. Ajo nuk mund të gjykohet në gjendje të lirë, sepse ka pushtetin dhe potencialin për të shantazhuar dëshmitarë, prishur prova apo arratisur si paraardhësi.

Ora 19:06
Pasi u mor e pandehur nga SPAK, Belinda Balluku shkon në Kryeministri

 

Pasi u mor e pandehur nga SPAK, zv.kryeministrja Belinda Balluku është parë të futet në Kryeministri.

Ajo ka qëndruar për rreth 30 minuta, por nuk dihet nëse zhvilloi ndonjë takim, apo shkoi në Kryeministri për mbledhjen e qeverisë ku pritet të merret edhe vendimi për përcjellen e Fatos Nanos në banesën e fundit me ceremoni shtetërore.

Ora 19:02
Balluku e pandehur, Tabaku: Tuneli i Llogarasë vetëm maja e ajsbergut, të japë dorëheqjen! Bardhi: Hajdute e miliona eurove të taksave të shqiptarëve

Reagimet e para kanë ardhur nga opozita pasi SPAK mori të pandehur Belinda Ballukun për tunelin e Llogarasë. Deputetja Demokrate, Jorida Tabaku thotë se tuneli i Llogarasë është vetëm maja e ajsbergut. Tabaku shkruan se pas tij qëndron një zinxhir aferash, nga aeroporti i Vlorës e deri te blerjet e energjisë. Ligjvënësja demokrate thotë se Balluku duhet të japë dorëheqjen.

“Belinda Balluku u mor sot e pandehur nga SPAK. Nga sot, Shqipëria ka një zëvendëskryeministre të pandehur dhe një tjetër në kërkim ndërkombëtar. Kjo është fotografia reale e një qeverie që prej vitesh fshihet pas propagandës, ndërsa korrupsioni ka zëvendësuar meritën, ligjin dhe përgjegjësinë.

Tenderi i tunelit të Llogarasë, i denoncuar nga Gazment Bardhi mbi një vit më parë, është vetëm maja e ajsbergut. Pas tij qëndron një zinxhir aferash — nga aeroporti i Vlorës e deri te blerjet e energjisë — që rëndojnë mbi zëvendëskryeministren e vendit dhe mbi mënyrën sesi kjo qeveri përdor pushtetin.

Belinda Balluku duhet të japë dorëheqjen menjëherë. Një zëvendëskryeministre e pandehur nuk mund të përfaqësojë më interesin publik dhe nuk mund të administrojë tendera e kontrata që peshojnë miliarda nga taksat e shqiptarëve. Shqipëria meriton një proces të pastër, pa ndikim politik, pa pengesa dhe pa frikë.

Por kjo nuk është vetëm përgjegjësi individuale. Kjo është përgjegjësi politike e Kryeministrit Edi Rama, arkitektit të një sistemi që e ka ngritur korrupsionin në metodë qeverisjeje. Një qeveri ku ministër pas ministri, zëvendëskryeministër pas zëvendëskryeministri, përfundojnë nën hetim, nuk mund të flasë më për zhvillim, investime apo integrim europian.

Korrupsioni i ngritur në sistem është arsyeja pse Shqipëria nuk zhvillohet, pse bizneset largohen dhe pse investitorët amerikanë e europianë hezitojnë të vijnë. Ky është realiteti i një vendi të penguar nga një pushtet që ka humbur busullën morale dhe politike.

Ky sistem ka një emër dhe një përgjegjës. Deri sa të ketë drejtësi të barabartë për të gjithë — nga ministrat te Kryeministri — Shqipëria nuk do të ecë përpara. Ky është momenti për të thyer sistemin që ka marrë peng vendin dhe për të rikthyer shpresën se politika mund të jetë në shërbim të qytetarëve, jo mbi ta”, shkruan Tabaku.

Ndërsa deputeti Gazment Bardhi shkruan se Balluku është hajdute e miliona eurove të shqiptarëve.

“Është fiks ashtu siç qytetarët e quajnë teksa hyn në derën e SPAK. HAJDUTE e miliona eurove të taksave të shqiptarëve. Sot në SPAK, shumë shpejtë tek Burgu i Grave në Pojskë”, shkruan Bardhi.

Ora 15:54
U thirr në SPAK, Balluku: Isha për një çështje në hetim, proces që besoj se do bazohet në transparencë

 

Interesit të lartë të gazetarëve pas thirrjes në SPAK, Belinda Balluku iu përgjigj me këtë deklaratë të shkurtër.

“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e prokurorisë së posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike e shikoj si një proces, një proces si cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transaprencë dhe mbi parimet drejtësisë teke cila besoj”, tha Balluku.   

Ora 15:17
A do ta jepni dorëheqjen? Balluku asnjë koment para gazetarëve teksa futet në SPAK (VIDEO)

 

Zv.kryeministrja Belinda Balluku mbërriti në SPAK, ndërsa nuk dha asnjë koment për gazetarët në momentin kur u pyet nëse do të japë dorëheqjen.

Ora 14:57
Motra e Belinda Ballukut mbërrin në SPAK

 

Pamela Qirko, motra e Belinda Ballukut ka mbërritur në SPAK. Ajo pritet të jetë përfaqësuesja ligjore e zv.kryeministres e Balluku e cila është thirrur për tu paraqitur sot në SPAK.