Ka debat në PS, s’jeni më kryetar i PS të rrethit Kukës..?
Eshtë e vërtetë që ka pasur debat në Partinë Socialiste të Qarkut të Kukësit, si në çdo degë tjetër apo si në çdo parti tjetër politike, pasi janë normale në një vend demokratik dhe për më tepër në një parti demokratike siç është PS. E vërteta e kulluar është se unë kam dhënë dorëheqjen si kryetar i PS për rrethin e Kukësit. Pra jam larguar nga drejtimi i PS të rrethit të Kukësit me vullnetin tim të lirë dhe për një kontribut më real dhe më të prekshëm për PS në këtë rreth verior të vendit.
Por në këto momente, pak muaj para fushatës zgjedhore....?
Unë dorëheqjen time nga drejtimi i PS për rrethin e Kukësit e kam dhënë vetëm për të mirën e partisë dhe të fitores së saj në këtë qark. U vetëlargova për arsye se duke parë disa zhvillime të brendshme në PS e rrethit të Kukësit, e pashë më të arsyeshme që të kontribuoja më konkretisht e më mirë për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit të këtij viti, duke qenë më në kontakt të drejtpërdrejtë me elektoratin kuksian në funksion të fitores së madhe në ballafaqimin elektoral të këtij viti përballë qeverisjes aktuale. Kjo është arsyeja e dorëheqjes sime.
Po s’mund të jepnit kontribut dhe si kryetar i PS të rrethit...?
Qenia ime kryetar i PS të rrethit të Kukësit ose jo nuk më pengon që të kontribuoj për fitoren e socialistëve dhe së majtës në këtë qark. Përkundrazi, më motivon akoma më shumë që, duke shfrytëzuar të gjitha njohjet dhe lidhjet miqësore e shoqërore që kam unë në këtë rreth si dhe kontributin tim në vite, por dhe shembullin se kontribuoj për PS dhe jo se kam përgjegjësinë që kisha si kryetar i PS të rrethit, PS në Kukës në zgjedhjet e 23 qershorit të marrë një rezultat shumë më pozitiv se sa në zgjedhjet e vitit 2009. Besoj shumë se me këtë punë që po bëhet do t’ia arrijmë këtij objektivi që në i kemi vendosur vetes.
Për dorëheqjen tuaj, gjetët mirëkuptim nga kryetari i PS Rama?
Kam një gjetur mirëkuptimin e duhur dhe maksimal të kryetarit të partisë Edi Rama. Të cilit i kam shprehur gatishmërinë time pa asnjë lloj rezerve për të kontribuar fuqimisht në PS-në e Kukësit në funksion të një fitoreje të madhe të socialistëve dhe aleatëve tanë në këtë qark. Jam mirëkuptuar me kryetarin për dorëheqjen time nga posti i kryetarit të PS të rrethit, duke garantuar një kontribut real dhe të fortë me të gjitha fuqitë për të fituar.
Kur e keni dhënë dorëheqjen nga posti...?
Doreheqjen nga posti i kryetarit të PS të rrethit të Kukësit e kam dhënë para një muaji me shkrim. Ia kam dërguar kryetarit Rama në zyrë dhe i kam shpjeguar të gjitha arsyet qartësisht dhe me shumë qetësi, pa fjalë të tepërta dhe duke nënvizuar se gjithçka bëhet në funksion të fitores së PS. Pavarësisht se kush e drejton PS e rrethit të Kukësit, kontributi im do jetë vetëm në përbërje të PS dhe për partinë time, krah shtabit drejtues. Për më tepër që unë kam qenë, jam dhe do të jem anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS, pavarësisht se nuk jam kryetar partie në Kukës. Në PS ka solidaritet dhe mbështetje për të gjithë, nuk hidhet njeri poshtë por të gjithë janë bashkëkontribues në funksion të fitores.