DURRËS - Shërbimet e  Komisariatit të Policisë Durrës sapo arritën të kapin dhe aktualisht janë duke kryer veprimet e para hetimore lidhur me një shtetas, i cili shkaktoi dëmtimin e një prej reklamave të një subjekti politik në Durrës.
 
Shtetasi në fjalë, Gazmend Syziu, vitlindja 1976, lindur e banues në  Durrës, rreth ores 14.30, në lagjen Nr.4 Durrës, në segmentin rrugor ndërmjet Stacionit të Trenit dhe qendrës tregtare Bluestar ka thyer me mjete rrethanore xhamin e një prej reklamave (billbord) të një subjekti politik dhe më pas është larguar me qëllim shmangien nga përgjegjësitë.
 
Shërbimet e Komisariatit të Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në kohë, pasi kanë mbledhur të dhënat e nevojshme mbi autorësinë e ngjarjes, kanë lokalizuar në një distancë relativisht larg vendit të ngjarjes shtetasin në fjalë, i cili paraprakisht nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për shoqërim dhe sqarim të rrethanave si dhe gjatë kapjes e shoqërimit për në polici ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë në detyrë.
 
Aktualisht po vijojnë veprimet e para hetimore për arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi për veprat penale të shkatërrimit të pronës dhe kundërshtimit të punonjësit të policisë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)