PD çon Ligjin për ‘Zonat e Mbrojtura’ në Kushtetuese, Zhupa për Report TV: Kthehen në beton, s’është politikë! S’mund të shndërrohen në vilat e oligarkëve

PD çon Ligjin për ‘Zonat e Mbrojtura’ në Kushtetuese, Zhupa për Report TV: Kthehen në beton, s’është politikë! S’mund të shndërrohen në vilat e oligarkëve

Ina Zhupa duke folur në 'Report TV' për zonat e mbrojtura

Me firmë të deputetëve të saj, Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për zonat e mbrojtura, të miratuar në muajin Shkurt të këtij viti nga mazhoranca qeverisëse.

Deputetja demokrate Ina Zhupa e dorëzoi sot (1 Nëntor) këtë padi dhe e quajti ligjin antikushtetues, që i heq ‘mburojën’ e deritanishme “zonave të mbrojtura”, duke i hapur rrugën ndërtuesve apo oligarkëve dhe njerëzve me pushtet që të ndërtojnë vilat personale, resortet dhe investimet e tjera.

Ajo u shpreh se ky është ligj me porosi i Ramës për oligarkët ndërsa zhduk zonat e mbrojtura dhe lë vetëm beton në to. Zhupa shpjegoi arsyet në emisionin “Sot, Live në Shqipëri” të gazetarit Nertil Agalliu, dhe dha të gjitha argumentet që PD kishte për shkeljet.

“Sot unë dorëzova në Gjykatën Kushtetuese padinë për të shpallur si antikushtetues ligjin e Zonave të Mbrojtura. Ky ligj kaloi në shkurt të këtij viti. E kthen Shqipërinë në një vend pa zona të mbrojtura. Kudo ku i vënë gishtin një ndërtues, një investitor strategjik, një oligark apo klient i pushtetit, mund të ndërtojë, sepse tashmë nuk ka ndalim për të ndërtuar në zonat e mbrojtura. Por ka mundësi për të kërkuar leje në KKRT te Edi Rama dhe për të dhënë leje Rama, që ti të ndërtosh në zona të mbrojtura”, tha Zhupa.

E pyetur se cilat zona rrezikohen, ajo pohoi se janë ato si parku i Karavastasë, Divjakës, Butrinti dhe të gjithë të tjerave që kanë rëndësi të trashëgimisë natyrore, historike apo kulturore. Ajo përmendi dhe zona të tjera si Mali i Dajtit, Tomorit, liqeni i Shkodrës, Zvërneci apo Narta, që cilësohen zona të mbrojtura dhe rrezikojnë nga ky ligj.

“Këto laguna, lumenj, liqene apo male, nuk mund të kthehen nga një zonë publike që e gëzojnë të gjithë qytetarët sot, në pronë private. Ligji nuk mund të bëhet për interesin privat të disa personave, por për interes të përgjithshëm. Nuk bëhet ligji se ti mbarove kullat në bregdet dhe Tiranë dhe nuk ke më ku të ndërtosh komplekse vilash dhe restorte me pesë yje dhe hajde t’i hyjmë tani zonave të mbrojtura, të bëjmë pikat e vogla të Mirela Kumbaros dhe t’i mbushim me beton. Ky s’është interesi publik, është shkelje e Kushtetutës. Ata kanë shkel Kushtetutën dhe marrëveshjen e asociim-stabilizimit. Betoni nuk është zgjidhja”, sqaroi deputetja e PD.

Zhupa shpjegoi se me këtë ligj nuk ka më as zonim, pra mund të ndërtohet edhe brenda tyre.

“Mund të mirëkuptonim ndërtimet përreth zonave të mbrojtura, sepse mund t’i shërbenin edhe zhvillimit të turizmit, ku turistët të gjenin edhe ndonjë resort afër, por me këtë ligj nuk ka më as zonim. Më para theksohej se në Zonën A psh. Nuk mund të ndërtohej as një shtëpi druri, kurse kjo është në shkelje kushtetueshmërie, shkelje e Konventave. Ne nuk mund të lejojmë që sot të jetë një liqen apo lagunë dhe nesër të jetë vila e x-it apo y-it, apo liqeni e laguna të jenë si pishinat private të tyre. Ose Mali i Dajtit, s’mund t’i lënë fëmijëve që nga një zonë për ajër të pastër të kthehet në vila të oligarkëve. Kjo është një çështje jo politike, e dua ta sqaroj se s’është politik apo ideologji e majtë dhe e djathtë. Kjo është çështje kombëtare”, tha ligjvënësja.

Zhupa shtoi se në padi janë të shpjeguara të gjitha shkeljet, të përfshira në argumente me nene dhe konventa.

Edhe para godinës së Gjykatës Kushtetuese sot, Zhupa tha se “sot praktikisht në Shqipëri nuk ka më zona të mbrojtura”.

“Ligji nuk mbron interesin publik dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve, por vetëm interesin e Edi Ramës dhe miqve të tij, me anë të të cilëve garanton vota për zgjedhjet e ardhshme”, tha deputetja e PD.

Janë 37 deputetë që kanë firmosur dhe janë bërë pjesë e kësaj padie, teksa do t’i bashkohen dhe organizatat e shoqërisë civile.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Mashtronte të moshuarit dhe u merrte para, arrestohet shqiptari në Greqi

Mashtronte të moshuarit dhe u merrte para, arrestohet shqiptari në Greqi