Qyteti antik ishte mbyllur krejtësisht dhe rruga e vetme hyrëse te ura e Dajlanit kontrollohej rreptësisht nga nazistët. Për disa muaj radhazi forcat gjarmane kishin “mbjellë” në bregdet dhe në zonën portuale qindra tonelata eksplozivë.
Atmosfera e pazakontë e një qyteti fantazëm përshkruhet artistikisht në romanin “Njeriu i netëve të vjeshtës”, publikuar në vitin 1995 nga shtëpia botuese “Globus R”. Në faqet e librit të autorit durrsak Gjergj Vlashi gjithçka vjen me syrin e Marianit, personazhit kryesor që vendos të qëndrojë i fshehur në banesën e tij, duke përjetuar një ëndërr të rëndë njërezore.
Në mbijetesën e tij 3000-vjeçare Durrësi ishte boshatisur disa herë, por kurrë nuk ishte detyruar ta bënte këtë nga një urdhër që mbërrinte nga vdekatarë të zakonshëm. Tre herë me radhë në antikitet dhe në mesjetë vetëm tërmetet shkatërruese i larguan të tmerruar qytetarët e tij nga vendlindja. Gjatë ekspeditave italo-shqiptare në rrënojat ranë amfiteatrit antik 3 vjet më parë arkeologët zbuluan skeletet e katër pjestarëve të një familjeje, të cilët nuk kishin mundur të shpëtonin nga shkatërrimet e sizmës së vitit 1272. Trupat e tyre në pozicione paniku dhe ikjeje qëndruan disa orë, ndërsa skicografët dhe specialistët dokumentonin pasojat e “zëmërimit” të natyrës.
Por 68 vjet më parë e keqja vinte nga një ideologji shkatërruese, më e rëndë se ajo e natyrës.
-Nëntor 1943, boshatisja e qytetit-
Evakuimi i Durrësit nisi në tetor të vitit 1943 dhe ashpërsia e pushtuesve në raport me njerëzit pranë tij u vërtetua më 23 nëntor kur 600 qytetarë të moshave të ndryshme u ndaluan në Shkozet, vetëm 3 km larg qendrës së tij. Mjaft prej tyre vinin për të parë shtëpitë e lëna në mëshirë të fatit, por fati që i priste ishte shumë më i rëndë.
Pjesa më e madhe njerëzve të ndaluar u dërguan në kampet e përqëndrimit nga ku u kthyen gjallë vetëm 23 vetë. 417 të tjerë kishin vdekur gjatë rrugës në Bitola (Maqedoni), në Zemun dhe Banic (Serbi), e në Mathauzen.
Për pushtuesit Durrësi duhet të kishte një rëndësi shumë më të madhe nga ajo që menduan fillimisht banorët në ikje e sipër.
Kryetari i Komitetit të Miqve antiminë (KMAM), koloneli në rezervë Besnik Alibali dëshmon se qyteti bregdetar mund të bëhej arenë e një beteje të madhe të përmasave evropiane. Lufta e dytë botërore kishte hyrë në fazën e saj finale dhe siç kujton në vitin 1976 znj. Parker ish-funksionare e Forein Office angleze “angloamerikanët mund të krijojnë një kryeurë në Durrës, duke hedhur aty katër brigada sulmi dhe dy divizione këmbësorie,...të mbështetura nga kontinenti me aeroplanë bombardues dhe transporti”.
Porti detar dhe bregdeti i Durrësit bënin pjesë në planet e koalicionit antifashist dhe hitlerianët përgatiteshin për të përballuar një mësymje të mundshme detare. Teatri i operacionit “Overlord” që u realizua më vonë në Normandi mund të ishte edhe në Durrës.
Sipas studiuesit Besnik Alibali brenda një viti nga plazhi i Currilave deri në jug të Kavajës nazistët gjermanë vendosën mbi 100 mijë mina kundërtanke dhe 200 mijë të tjera kundër këmbësorisë. Në librin e tij “50 vjet mbi mina” koloneli Alibali shkruan se dëndësia e minimit arrinte shkallën 5, pra pesë objekte vdekjeprurëse në çdo 1 metër linear front. Minat “telerminen” me 2-3 elemente befasije, ato “Holzmine” dhe “Shrapnel” me rreze asgjësimi 100-200 metra si dhe minat e betonin “Stockmine” ishin të panumërta. “Në zonën e minuar çdo qytetar duhet “të mbante mbi shpatulla” 7-10 copë mina, ndërsa në det u vendosën mijëra mina të tjera. Një provë me shpërthimet hodhi në erë një pjesë të portit detar.
-Çminimi, operacioni disamujor-
Operacioni 1-vjeçar hitlerian morri emrin e koduar “Shëtitje në port”, një emërtim mjaft paqësor në raport me vdekjen që mbolli në çdo cep.
Kur mbërritën në qytet partizanët kapën dy robër nazistë, të cilët nuk kishin mundur të tërhiqeshin me të tjerët-thotë koloneli Alibali, i cili ka punuar gjatë në drejtimin e batalioneve të xhenjos. Dy ushtarakët robër që i njihnin detajet e minimit të qytetit u bënë pjesë e proçesit të gjatë, të lodhshëm dhe shpesh herë tragjik të çminimit të Durrësit-tregon z. Alibali.
Më 5 prill të vitit 1945 nisi zyrtarisht operacioni i madh “kirurgjikal” për ti shkëputur tokës rrezikun e vdekjes. Brenda katër muajsh nga plazhi i Durrësit u hoqën 17 mijë mina kundër tanke dhe 2.500 mina këmbësorie. Xhenjerët Arif Osmani, Panajot Haxhimihali, Dilaver Hamzai, e Zenel Skendo janë disa nga dëshmorët e parë që ranë duke shkulur rrënjët e vdekjes nga toka-thotë Alibali, i cili drejton KMAM, pjesë e organizatës ndërkombëtare me të njejtin emër që fitoi në vitin 1997 çmimin Nobel për Paqen.
Në janar të vitit 2008 në ujrat pranë Bisht Pallës peshkatarët e anijes “Emiljano” nxorrën nga rrjeta bashkë me peshqit e zënë edhe një minë detare rrumbullake.
Specialistët e xhenjos mbërritën me shpejtësi pranë motopeshkatores dhe e dërguan për ta çaktivizuar në një nga poligonet pranë kryeqytetit.
Kujtojmë këtë rast me kol. Alibalin, i cili na thotë “Ka një rrugë në Durrës, e cila ka emrin “Andi dhe Rudini”. Plasja e një mine kundër tanke i morri jetën dy fëmijëve 13-vjeçarë Rudin Paja dhe Andi Rama në vitin 1993-dëshmon 75-vjeçari, duke shtuar: “Jehona e luftës që kishte mbarua gjysëmshekulli më parë u dëgjua me ashpërsi duke ua ndërprerë jetën dy vogëlushëve, të cilët kishin lindur shumë më vonë se minat vdekjeprurëse”.
Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)