Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se në të gjithë botën demokratike zgjedhje për kryetar partie bëhen brenda partisë që humb zgjedhjet dhe jo brenda asaj që fiton.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku u diskutua rreth ‘zgjedhjeve’ të 23 majit për kryetarin e PD-së, ku në garë është vetëm Sali Berisha.
Spahiu theksoi se partia që fiton zgjedhjet nuk ka nevojë të bëjë garë për të zgjedhur kryetarin. Kjo pasi sipas tij, kryetari i partisë fituese ka marrë votëbesimin popullor në zgjedhjet parlamentare dhe nuk ka nevojë të hyjë në garë brenda partisë.
Sipas Spahiut është e gabuar të bëhet krahasimi ‘pse nuk bën zgjedhje Rama brenda partisë’ me ‘pse nuk bën zgjedhje Berisha brenda partisë’.
Më tej Spahiu tha se brenda PS ka pasur disa herë garë reale për kreun e partisë, që që sipas tij, nuk ka ndodhur kurrë në PD.
“Ka një dallim mes garave në PS dhe PD. Në PD nuk ka pasur kurrë garë. Berisha ka emëruar persona, vetëm për të mbajtur vendin dhe që në një moment të caktuar t’i heqë ata. Në PS ka pasur garë. Në PS ka garuar Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko, Rexhep Mejdani, Edi Rama. Ka pasur zëra dhe profile të larta. Ne kemi dëgjuar 4 vite Ben Blushin të bëjë spektakël, të bëjë opozitën më mirë se opozita në Kuvend. E para e punës, nuk mund të krahasohen zgjedhjet e fituesit me zgjedhjet e humbësit.
Në gjithë demokracitë liberale, në gjithë vendet europiane, nuk vihen në diskutim kandidimi i kryetarit të partisë fituese që është kryeministër që drejton partinë. Gjithmonë zgjedhjet janë debat dhe diskutim për kreun e opozitës, për partinë që humbet zgjedhjet. Ky është gjithmonë thelbi që rigjeneron në politikë. Asnjëherë nuk është sfidë ai që fiton. Sepse ai që fiton ka marrë votat e 1 milionë votuesve, ka marrë votat e gjithë popullatës. Sepse është e gabuar të krahasojmë pse nuk bën zgjedhje Rama dhe pse nuk bën zgjedhje Berisha”, tha mes të tjerash Spahiu.
Kujtojmë se në 'zgjedhjet' e 23 majit për kreun e PD-së Berisha do të jetë kandidati i vetëm, pasi nuk u lejuan të garojnë disa figura me peshë të PD-së, si Ervin Salianji, Alesia Balliu, Evi Kokalari, Vladimir Mulaj dhe Mereme Sela.
Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se nuk ishte Mereme Sela që do ta bënte PD-në qesharake, por gara pa kandidatë (përveç Sali Berishës) e 23 majit, për zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, pasi më herët Sali Berisha deklaroi se Mereme Sela u përjashtua nga gara për kreun e PD-së, pasi sipas tij, nëse do të kandidonte do e bënte procesin qesharak.
Sipas Spahiut, zgjedhjet ku në garë do të jetë vetëm Sali Berisha, nuk janë zgjedhje reale. Për Spahiun, e padrejtë ishte edhe mos-lejimi i Vladimir Mulajt për të kandiduar për kreun e PD-së, një personazh që sipas juristit, ka pasur një kontribut ndër vite në këtë forcë politike.
“Zonja Mereme është një mjeke, prej më shumë se 3 dekadash. Është në moshën kur Berisha si mjek i panjohur, filloi karrierën politike me PD-në. Paradoksi i parë është që Berisha del dhe thotë se ‘Meremja u skualifikua sepse s’mund të lejojmë që gara të bëhet qesharake. Në fakt nuk është Meremja që e bën PD-në qesharake. Qesharake PD-në po e bën gara pa kandidatë, që nuk është garë. Që i thotë Celibashit ‘më jep disa kuti që të bëjmë votim të fshehtë’. Për kë votim të fshëhtë? Kush po garon? Kuti të fshehtë, ka marrë kuti borxh te Celibashi në KQZ. Kjo është komedia dhe paradoksi i garës në PD. Zonja Mereme është treguar shumë serioze në këtë proces. Le të merrte 40 vota Meremja në këtë proces. Vladimir Mulajn unë e njoh që në 1997, që qëndronte pranë PD-së, kur PD rrethohej me tanke”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente










