Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Durrës, pasi iu gjetën në automjet 116 685 euro, që dyshohet nga policia se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Denis Trebeshina u arrestua në kuadër të operacionit ‘Sundimi i ligjit’ që vijon në mbarë vendin.
Hetuesit e krimeve ekonomike-financiare kishin informacione për një shtetas që posedonte një shumë të madhe parash. Ata e ndaluan të riun në lagjen nr.17 në Durrës dhe gjatë kontrollit iu gjetën paratë që u sekuestruan.
Ndërkohë vijon puna hetimore për vërtetimin e burimit të të ardhurave të këtyre parave që u gjetën në automjetin e 30-vjeçarit. Ndërsa materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë.