DURRES- Policia Kufitare e Durrësit ka arrestuar një shtetas Italian me qëllim ekstradimin në Spanjë ku është dënuar për trafik droge. Arrestimi i Roberto Basco u krye si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, pas finalizimit të operacionit ‘Porta'
59-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Madridit e kishte dënuar me 6 vite burgim në vitin 2019 për trafik të lëndëve narkotike dhe nga dënimi i ka mbetur për të kryer edhe 1 vit e 5 muaj burg.
'Gjatë operacionit është arrestuar, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi italian Roberto Basco, 59 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Provinciale e Madridit, Spanjë, me vendimin e datës 19.09.2019, e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike", parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 1 vit e 5 muaj burgim.', thuhet në njoftimin e sotëm policisë.
Më 26 shkurt 2019, Roberto Basco ishte kapur në aeroportin e Madridit pasi në valixhe i ishin gjetur 7 pako me lëndë narkotike kokainë (me peshë totale rreth 5.6 kg), që i kishte sjellë nga Kolumbia, me qëllim shitjen në Spanjë, informoi sot policia e Durrësit.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e italianit drejt Spanjës.