DURRËS - Babë e bir janë qëlluar me kallashnikov brenda në makinë, teksa po udhëtonin në autostradën Durrës- Tiranë. Atentati ndodhi rreth orës 00: 45 minuta të ditës së sotme. Albert Qato 48 vjeç dhe djali i tij Rambo, 19 vjeç po udhëtonin me makinë kur persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të shoferit të makinës, ku ishte ulur djaloshi 19 vjeçar.

Albert Qato u plagos në dorë dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i biri i cili ka marrë 4 plumba vazhdon të mbetet në gjendje kritike. 19 vjeçari ndodhet në Spital Ushtarak ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

HETIMI
Policia po heton në dy pista hetimi: E para ka të bëjë me të atin, Albertin. Sipas policisë 48 vjeçari, po vuante një dënim me 10 vite burg për akuzën e grabitjes së një kambisti nga qyteti i Elbasanit. Këto ditë ai kishte dalë nga burgu me leje.

Pista tjetër e hetimit mund të ketë lidhje me djalin e tij 19 vjeçar. Një pistë tjetër mund të jetë dhe se autorët mund të kenë ngatërruar objektivin. Pasi makina në të cilën po udhëtonin babë e bir, ishte e një shoku të Rambos, çka dyshohet se pikërisht ky mund të ketë qenë dhe objektiv i vrasjes.

7 TE SHOQERUAR
Deri paraditen e sotme në policinë e Durrësit janë shoqëruar 7-8 persona, si njerëz që mund të kenë dijeni apo mund të japin detaje që mund të ndihmojnë policinë për të zbardhur autorët dhe motivet e krimit.

DJALI 19- VJEÇAR U QELLUA ME 4 PLUMBA
Rambo Qato aktualisht ndodhet në Spital Ushtarak dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjekët thonë se është arritur ti hiqet një plumb, ndërsa gjëndja e tij shëndetësore vazhdon të mbetet kritike, pasi plumbat kanë prekur shtyllën kurrizore. I ati ka marrë një plumb në dorë. Policia thotë se objektivi i atentatit ka qenë shoferi i automjetit.    Rambo Qato është qëlluar me 4 plumba.
(lajmi u publikua fillimisht në orën 01:00 më pas u përditësua në orën 09:00)
(b.m/shqiptarja.com)