Një aksident është shënuar në unazën e Plazhit në Durrës, ku një makinë tip "Benz", ku udhëtonin 5 persona është përplasur me një ambulancë, që po transportonte një të sëmurë. Në makinë tip "Benz" udhëtonin 5 persona kundër rregullave të sigurisë të përcaktuara me ligj për COVID-19 për mbrojtjen ndaj përhapjes së infeksionit. Sipas njoftimit të policisë 'benz-i' ishte drejtuar për në spital, por nuk sqaron nëse e kishte lejen e posaçme për të shkuar atje duke justifikuar edhe lëvizjen e mjetit jashtë fashës së orarit të lejuar.

Report Tv ka siguruar videon ekskluzive të aksidentit ku një fëmijë ka shpëtuar mrekullisht, ndërsa një qytetari tjetër i cili gjithashtu ndodhej në kryqëzim nuk është lënduar por është shkatërruar tërësisht biçikleta e tij.

Ambulanca po transportonte për në spital një të sëmurë por i ka prerë rrugën në kryqëzim një automjet "Benz" me targë AA 582 FH në të cilin gjendeshin 5 vetë. Prej tyre vetëm njëri ka dëmtime në pjesën e fytyrës, por është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa personeli shëndetësor dhe i sëmuri nuk patën dëmtime.

Ambulanca, në të cilin ndodheshin 4 persona së bashku me të sëmurin, po lëvizte me sirena të ndezura kur ka ndodhur aksidenti. Në ndihmë të të plagosurve ka ardhur një ambulancë tjetër, që ka marrë të sëmurin dhe shtetasen e plagosur që po udhëtonte me Benzin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:51
Aksidenti në Durrës, policia: 'Benz-i' i përplasur me ambulancën po shkonte në spital

1587911892_ok.jpg

Ambulanca dhe makina tip 'Benz' të përfshira në aksident

Makina tip 'Benz' që u aksidentua në lagjen 13 të Durrësit, sipas policisë ishte nisur për në spital, pra mjeti posedonte lejen për të lëvizur dhe shkuar në spital, por në të ndodheshin 5 persona, jashtë rregullave të lejuar për të qarkulluar me makinë, në të cilën lejohen vetëm 2 persona.

Sipas policisë mjeti tip "Benz"  me drejtues shtetasin I.R., 36 vjeç, ishte nisur për në spital, por është përplasur me ambulancë. Nga përplasja është lënduar pasagjerja e mjetit "Benz", shtetasja E.R.,44 vjeçe e  cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Sipas njoftimit të policisë 'benz-i' ishte drejtuar për në spital, por nuk sqaron nëse e kishte lejen e posaçme për të shkuar atje duke justifikuar edhe lëvizjen e mjetit jashtë fashës së orarit të lejuar.

Gazetari i Report Tv, Artur Korriku raporton se rruga në të cilën ishte drejtuar mjeti tip 'benz' nuk shkohet në spital pasi në atë zonë e vetmja rrugë që mund të shkohet për në spital ishte drejtimi nga kishte marrë ambulanca.

Ora 17:29
VIDEO-Ekskluzive, pamje të frikshme nga aksidenti në Durrës! Fëmija shpëton mrekullisht

Një video e siguruar nga Report TV shfaq pamjet e aksidentit të frikshëm të ndodhur në Durrës. Në video vihet re se aksidenti mund të kishte qenë fatal jo vetëm për pasagjerët në makinë  tip "Benz" dhe ambulancën, por edhe për personat që ndodheshin në kryqëzimin e rrugës në atë moment, mes të cilëve ndodhej dhe një fëmijë i vogël. Fëmija ka shpëtuar mrekullisht pa u lënduar.

Gjithashtu dhe një qytetar që kishte qëndruar me biçikletë në kryqëzim ka shpëtuar pa u lënduar, por biçikleta është shkatërruar tërësisht.

Fatmirësisht nga aksidenti nuk ka pasur viktima, por vetëm një i lënduar lehtë, i cili ishte pasagjer në makinë tip "Benz".