DURRES - Një 50-vjeçar, pronar i një lokali në sheshin “Iliria” në Durrës është ekzekutuar sot nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:20 pranë Bashkisë së qytetit bregdetar, ku viktimë është Leonard Murataj, i cili është qëlluar me 5 plumba pistolete në derën e lokalit të tij “Bar Center”.

Nga të dhënat e para dyshohet se dy persona të cilët po udhëtonin me një automjet, i janë afruar lokalit në pronësi të viktimës. Në këtë moment, njëri prej tyre, duke përfituar nga moti me shi, errësira dhe lokali i boshatisur, ka zbritur nga automjeti dhe i është afruar 50-vjeçarit duke qëlluar me pistoletë 5 herë në drejtim të tij. Menjëherë pas kësaj dy autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes. 

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, ku nga hetimet paraprake ka rezultuar se Murataj kishte pësuar vdekje te menjëhershme nga 5 plumbat që kishte marrë. Ndersa pak metra me tutje janë gjendur 7 gëzhoja.

Efektivët blu janë vënë në ndjekje të makinës, dhe nga të dhënat e para, bëhet e ditur se automjeti i atentatorëve, është drejtuar për nga Fushë-Kruja. Televizioni A1 Report, sjell pamje nga vendi i ngjarjes së ekzekutimit të 50-vjeçarit Murataj.

Ndërkaq, blutë e qytetit bregdetar kanë shoqëruar për të dëshmuar persona të afërm të viktimës, si dhe kanë ngritur postblloqe në rrugët kryesore të qytetit. Ende policia dhe grupi hetimor nuk kanë bërë të ditur pistat e hetimit te kesaj ngjarje, por nga verifikimet paraprake rezulton se Murataj është person me precedentë të mëparshëm penalë, i akuzuar për vrasje dhe pengmarrje.

leonard murataj
Murataj, me precedentë penalë, i akuzuar për vrasje dhe pengmarrje
Leonard Murataj, i martuar dhe babai i dy fëmijëve, u arrestua në vitin 2005 me akuzën e vrasjes së një banori të qytetit të Durrësit në tetor të vitit 1998. Gjyqi u zhvillua në Tiranë në Gjykatën e Krimeve të Rënda e cila e shpalli të pafajshëm Muratajn pasi organi i akuzës nuk arriti që të vërtetojë me prova akuzën ndaj tij.

Biznesmeni Murataj është akuzuar edhe për pengmarrjen e Artan Ilmiut në vitin 1999 dhe vrasjen e babait të tij, Nuhi Ilmiut po në atë vit.

atentati ndaj leonard murati