DURRËS - Terrenet sportive janë inauguruar këtë të enjte në shkollat e ciklit 9-vjeçar dhe të mesme në qytetin e Durrësit. Investimi i mundësuar nga Bashkia e qytetit bregdetar konsiton në ndërtimin e fushave të mini-futbollit dhe ato të lojërave me dorë.
 
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka zgjedhur shkollën e muzikës Jan Kukuzeli ku është takuar me nxënës dhe mësues të kësaj shkolle për të përurar përfundimin e punimeve për krijimin e fushave të sportit dhe rikonstruksionin e ambienteve të jashtme në të gjitha këto shkolla të qytetit.
 
Dako veçoi se terrenet sportive do të jenë në shërbim jo vetëm për nxënësit, por edhe të rinjve që mund ti shfrytëzojnë gjatë kohës së lirë.  Kryeashkiaku, i cili është zgjedhur sërish nga mazhoranca si kandidat edhe në këto zgjedhje lokale, u shpreh se ky do të jetë vizioni i bashkisë edhe gjatë 4 viteve të ardhshme ku pritet të ndërtohen terrene sportive në të gjitha zonat që do t’i bashkangjiten bashkisë së Durrësit, në Katund të Ri, Rrashbull, Sukth, Manëz dhe Ishëm. 

dako
 
“Çdo vit Bashkia e Durrësit investon në krijimin dhe përmirësimin e terreneve sportive nëpër shkolla. Këtë vit investuam në katër shkolla të qytetit dhe në këto investime kemi patur vizionin që terrenet sportive të mos përdoren vetëm nga nxënësit e shkollave por edhe nga rinia e zonës pas orarit mësimor. Pra këto terrene sportive në oraret e pasdites janë të hapura për rininë dhe të gjithë qytetarët për të kaluar kohën e lirë në mënyrë të shëndetshme në terrene sportive cilësore. Me këtë vizion do të vazhdojmë edhe në katër vitet e tjera për të tjera shkolla në Durrës por edhe në shkollat e Ishmit, Manzës, Rrashbullit, Katundit të Ri dhe Sukthit. Në të gjitha këto shkolla ne do të krijojmë terrene sportive moderne që do tu vlejnë nxënësve gjatë orarit mësimor por edhe të gjithë qytetarëve pas orarit të mësimit. Mirëmbajtja e shkollave dhe krijimi i terreneve sportive do të jetë në fokusin tonë katër vitet e ardhshme” , tha Dako.

dako
 
Me një investim prej rreth 19 milionë lekë janë krijuar fusha sportive në katër shkolla të Durrësit “Jan Kukuzeli”, “Marie Kaçulini”, “14 Nëntori” dhe “Jusuf Puka” si dhe janë rikualifikuar të gjitha hapësirat e tjera rreth këtyre shkollave duke krijuar ambiente të jashtme sipas standarteve moderne për këta nxënës. Ndërkohë që me një fond tjetër në bashkëpunim me Bankën Botërore prej rreth 15 milionë lekë janë krijuar ambiente sportive edhe në 5 shkolla të tjera “Naim Frashëri”, “Gjergj Kastrioti”, “Eftali Koçi”, “Isuf Ferra” dhe shkolla e re në zonën e ish kënetës.

dako
dako

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptajra.com)