DURRES- Një sasi prej 458 kilogramë marijuanë është sekuestruar mbrëmë në Portin e Durrësit. Droga e fshehur në tavanin e një kamioni frigorifer, kishte destinacion Barin, në Itali.

Kamioni është ndaluar sapo ka dashur të imbarkohet në tragetin e linjës Durrës-Bari.

Policia kufitare e Portit të Durrësit, kishte informacion paraprak se në kamion mund të kishte lëndë narkotike.

Nga kontrollet e bëra, në pjesën e tavanit të kamionit u gjetën të fshehura 266 pako në formë cilindrike, brenda së cilave ishte masa bimore ngjyrë jeshile në gjendje të thatë, që për nga karakteristikat dyshohet se është lëndë narkotike e tipit Kanabis Sativa.

Pas kontrollit, policia arrestoi në flangrancë drejtuesin e mjetit Lulëzim Vataj 35 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërkaq, vijon puna për hetimin e rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike.


Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)