Policia e Durrësit ka kapur ditën e sotme në flagrancë një person, i cili ishte i shpallur në kërkim që nga viti 2016.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga është 42 vjeçari me inicialet Sh.K, banues në Durrës.
Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në vitin 2017 e kishte dënuar me 3 vjet e 17 ditë burg, për veprën penale "Prodhim dhe shitje e narkotikëve"
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi në vitin 2016, në aksin rrugor Fushë Dac- Kepi i Rodonit, pas kontrollit të ushtruar nga ana e shërbimeve të Policisë në mjetin e tij tip ‘Furgon’ u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 324 fidanë të dyshuara Canabis sativa.
Ndërkaq, materialet hetimore janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.
Komente












