DURRES- Kur kanë mbetur edhe 15 ditë nga skadimi i afatit të qeverisë për vetëdeklarimet e ndërtimeve pa leje, drejtuesit e ALUIZNI-t në Durrës i bëjnë edhe një herë thirrje të gjithë atyre që ende nuk kanë vetëdeklaruar objektet në pronësi të kryejnë procedurat.
 
Flamur Gjuzi, drejtor i ALUIZNI-t në Durrës sqaron se edhe pse puna ka nisur një vit më parë, vetëm 6-mujorin e dytë të këtij vitit është proceduar me legalizimin e ndërtimeve.
 
Po ashtu, Gjuzi i bën apel qytetarëve të paraqiten pranë sporteleve dhe të mos i lënë procedurat për 3 ditët e fundit të vitit.
 
Gjatë kësaj periudhe në Durrës janë mbyllur 2 mijë dosje dhe pronarët e objekteve kanë marrë në duar dokumentin e hipotekës. Ndërsa 1 500 dosje janë në procesin e shlyerjes së detyrimeve financiare dhe së shpejti pritet mbyllja e tyre. Gjithashtu janë ndarë veç të tjerave plot 540 dosje të cilat konsiderohen me risk skualifikimi pasi objektet janë ndërtuar në vende të ndaluara.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)