DURRËS- Policia është vënë në kërkim të një personi i cili gjatë mbrëmjes së djeshme (14 janar), dyshohet se ka vjedhur targa të disa prej makinave të parkuara para banesave në Sukth.
Efektivët e stacionit të policisë Plazh, po bëjnë këqyrjen e kamerave të sigurisë me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Duke pasur parasysh rastin e ekzekutimit të Gëzim Sinomatit në Vlorë, ku targat e makinës që përdorën autorët ishin të vjedhura, lind dyshimi se edhe në këtë rast targat e vjedhura të makinave mund të përdoren për kryerjen e veprave kriminale.