VLORË- Një ekzekutim i tipit mafioz tronditi qytetin bregdetar rreth orës 22:05 të mbrëmjes së sotme (7 janar 2024) në rrugën “Hajro Çakërri”, afër poliklinikës qendrore.

23 vjeçari Gëzim Sinomati u ekzekutua në ballkonin e banesës së tij, në katin e tretë të një pallati, ku kishte dalë për të pirë një cigare.

Dyshohet se vrasja është kryer me snajper.

Report Tv solli pamjet ekskluzive nga vendngjarja, ku menjëherë pas krimit forcat speciale RENEA, forcat Delta dhe FNSH rrethuan zonën dhe nisën kontrolle në banesa të ndryshme në tentativë për të arrestuar autorin i cili dyshohet se është ndihmuar nga disa persona të tjerë dhe është larguar me automjet.

Një orë pas ngjarjes, në 23:20 është gjetur një makinë tip “BMW” e djegur. 

"Autorët dyshohet se kanë braktisur mjetin tip “BMW”, në lagjen “24 Maji”, duke e djegur dhe janë larguar duke përfituar nga errësira" informoi sot policia.

Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit i njohur si 'buzëderri', ish-anëtarit të bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë i cili është arrestuar për vrasjen e një personi në vitin 2000. Ndërsa 2 vite më parë, në 3 janar të vitit 2022, xhaxhait të viktimës, Bernardo Sinomatit i vunë 150 gram lëndë plasëse tritol në makinën që e kishte parkuar në të njëjtën lagje ku mbrëmjen e sotme iu ekzekutua nipi 23 vjeçar.

Një nga pistat e hetimit është hakmarrja por dyshohet dhe ajo e trafikut të drogës apo konfliktet mes grupeve kriminale.

Forcat RENEA kanë shkuar në mbështetje të forcave të policisë për kontrollin e zonës ku dyshohet se janë larguar autorët. Është rrethuar zona në një perimetër të gjerë të sigurisë dhe vijon kontrolli. 

*Për më shumë, ndiqni zhvillimet

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:17
Vlorë, dy të shoqëruar për ekzekutimin e Gëzim Sinomatit! Zona ishte pa drita kur ndodhi vrasja

1704667172_vlore.jpg

Foto: Ballkoni ku u ekzekutua Gëzim Sinomati

Dy persona janë shoqëruar në polici pasi mendohet se kanë qenë dëshmitarë të vrasjes që tronditi mbrëmjen e 7 janarit 2024 qytetin e Vlorës.

Report Tv mëson se ata janë shoqëruar dhe besohet se dëshmia e tyre do të ndihmojë në identifikimin e autorëve.

Në momentin kur ndodhi ekzekutimi i Gëzim Sinomatit, ora 22:05 në zonë, në lagjen “Hajro Çakërri”, afër Poliklinikës, nuk ka pasur drita.

Nuk dihet nëse kjo ishte planifikuar nga autorët apo ka qenë thjesht një rastësi.

Ora 23:20
Vlorë, një orë pas ekzekutimit të 23 vjeçarit, gjendet “BMW” e djegur! Policia: E autorëve, u larguan duke përfituar nga errësira

 

Kur ka kaluar më shumë se një orë nga ekzekutimi i 23 vjeçarit Gëzim Sinomati, rreth orës 23:20 është gjetur një automjet i djegur pranë stacionit të trenit në dalje të qytetit të Vlorës.

Policia bën me dije se ka dyshime që automjeti i djegur u përket autorëve të ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme.

Autorët dyshohet se kanë braktisur mjetin tip “BMW”, në lagjen “24 Maji”, duke e djegur dhe janë larguar duke përfituar nga errësira. 

Është rrethuar zona në një perimetër të gjerë të sigurisë dhe vijon kontrolli. 

Forcat Shqiponja, Operacionale, Delta, e Forcat Kombëtare të Sigurisë janë në ndjekje të autorëve, të ngjarjes ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi G. S., 23 vjeç. Autorët dyshohet se kanë braktisur mjetin tip “BMW”, në lagjen “24 Maji”, duke e djegur dhe janë larguar duke përfituar nga errësira.  Është rrethuar zona në një perimetër të gjerë të sigurisë dhe vijon kontrolli.  Në mbështetje dhe Forcat Renea për kontrollin e zonës ku dyshohet se janë larguar autorët" informoi Policia e Vlorës përmes një  informacioni të dytë.

Ndërkohë Grupi i Posaçëm hetimor i ngritur për këtë ngjarje po vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbejë zbardhjes së rrethanave të ngjarjes dhe identifikimit të autorëve.

Ora 23:12
Report Tv siguron pamje të banesës ku u ekzekutua 23 vjeçari në Vlorë! U qëllua me snajper sapo doli në ballkon për të pirë cigare

 

Kjo është banesa ku 23 vjeçari  është qëlluar me snajper sapo ka dalë në ballkonin e katit të tretë. Mësohet se viktima Gëzim Sinomati po pinte cigare në momentin kur është qëlluar.

Report Tv mëson se ndaj të riut është qëlluar disa herë.

Ora 22:59
Ekzekutimi me snajper në Vlorë, dyshohet për hakmarrje! Viktima, djali i ish-anëtarit të bandës së ‘Gaxhait’! 2 vite më parë i vunë tritol makinës së xhaxhait

1704663528_finalprojekt.00590716.Still127.jpg

Foto: FNSH e policia rrethojnë zonën pas vrasjes së Gëzim Sinomatit

Report Tv, ka mësuar detaje të reja rreth ekzekutimit të tipit mafioz të ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje, ndërsa i riu sapo ishte kthyer nga Belgjika.

Viktima Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit ish-anëtar i bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë, i njohur ndryshe me pseudonimin “Buzëderri”. Sokol Sinomati është i dënuar për vrasjen e ndodhur në 3 janar të vitit 2000, ku gjatë një tentative për të ekzekutuar Sokol Nuho, ka qëlluar gabimisht Luigj Xhafën, kalimtar të rastit.

Në 2014 gjykata e Lartë  atëherë me relator Edmond Islamaj vendosën që Armando Sulejmani (Cipuri) dhe Sokol Sinomati – të dy ushtarë të Gaxhait - të mos dënoheshin me burgime përjetë si pjesëmarrës në bandën e armatosur të Gaxhait, por të dënoheshin përfundimisht me akuzën e “Vjedhjes me dhunë” në bashkëpunim, duke u dënur përfundimisht me 16 vite burgim. Ky vendim solli lirimin e tyre nga qelia,edhe pse ishin të akuzuar dhe dënuar për një tjetër vrasje të kryer në Vlorë, në vitin 2002 në Skelë, ku i vdekur mbeti Elton Tato. Në një shkrim publikuar në Shqiptarja.com  më 21 shkurtit 2019 të gazetarit Elton Qyno, Sokol Sinomati ose “Buzderri” sipas policisë së Vlorës jetonte në Belgjikë ku merrej me aktivitet të paligjshëm.

Ndërsa 3 janar 2022, xhaxhait të viktimës, Bernard Sinomatit i kanë vendosur lëndë plasëse në automjetin që e kishte të parkuar në lagjen “Hajro Çakërri” në të njëjtin vend ku ka ndodhur ekzekutimi i 23 vjeçarit mbrëmjen e sotme.

Bernard Sinomati është emër i njohur për policinë. Në vitin 2015 është arrestuar nga policia në Vlorë për armëmbajtje pa leje. Ndërsa rezulton i dënuar në Belgjikë, ku nga burgu ka dalë në vitin 2021.

Ora 22:40
Vrasje në Vlorë/ Viktima kishte ardhur nga Belgjika, FNSH kontrolle në hyrje e dalje të qytetit

Report Tv mëson se viktima është Gëzim Sinomati, i cili sapo kishte ardhur nga Belgjika. 

Njoftimi i policisë

"Rreth orës 22:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar dyshohet me armë zjarri shtetasi G. S., 22 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit, si dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative, me qëllim kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve, informoi policia e Vlores. 

Ora 22:38
Ekzekutim mafioz në Vlorë, 23 vjeçari u qëllua me snajper sapo doli në ballkonin e banesës në katin e tretë

1704662973_policiavlore.jpg

Report Tv ka mësuar detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e sotme në Vlorë. 23 vjeçari Gëzim Sinomati dyshohet se është ekzekutuar me "snajper" sapo ka dalë në ballkonin e banesës së tij në katit të tretë të një pallati.  

Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe po bëjnë kontrolle në banesa të ndryshme. Dyshohet se snajperisti ka qenë në ndërtesën përballë pallatit ku banonte viktima. 

Ora 22:23
Ekskluzive/ Vrasja në Vlorë, Report Tv siguron pamje nga vendngjarja! Policia blindon zonën, në kërkim të autorit

Report Tv ka siguruar ekskluzivisht pamjet nga qyteti i Vlorës ku një person është ekzekutuar me armë zjarri.

Në vendngjarje shihen forca të shumta policie që kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë kontrolle për kapjen e autorit që ia ka mbathur nga vendngjarja.