Durrës, 180 nxënës të shkollës “Met Hasa” zhvillojnë mësimin pasdite pasi shkolla e tyre është në rindërtim. Zyra Arsimore u ka hequr transportin me autobus, ndërsa prindërit të cilët sot dolën në protestë refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët në shkollën pritëse. Ata kanë vendosur të bojkotojnë mësimin. 

***

Prindërit e rreth 180 nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” në Durrës protestuan këtë të martë, duke kërkuar rikthimin e transportit me autobus drejt shkollës pritëse “Neim Babameto”, ku fëmijët e tyre zhvillojnë mesim turn i dytë.

“Është e pamundur që një fëmijë i klasës së parë ose edhe një adoleshent të shkojë me urban të linjës në shkollë”, thotë një prind

“Unë kam 3 fëmijë. Nuk i përballoj dot, siç thonë këta. Si do hipë fëmija në urban linje, fëmija 5 vjeç”?

Shkolla “Met Hasa” ndodhet në proces rindërtimi dhe deri në fund të vitit të kaluar nxënësit transportoheshin çdo ditë me tre autobusë të vënë në dispozicion nga bashkia.

“Firma që transportoi nxënësit nga muaji shkurt deri në qershor nuk ka marrë lekë. Nuk është paguar, dhe kjo ishte arsyeja që nuk erdhi”.

Por këtë vit Zyra Vendore Arsimore ka kërkuar që ata të përdorin urbanin e linjës Durrës–Porto Romano, gjë që ka sjellë zemërim e prindërve, pasi sipas tyre urbanet nuk janë të sigurt për fëmijët.

“E kam vajzën në klasë të dytë. Po hipa këtu duhet të zbres në Spitallë. Kush e pret atje? Kështu që nuk është zgjidhje kjo me urban. Në radhë të parë do ndalojmë kalamajtë se nuk mundemi t’i çojmë, edhe do bllokojmë rrugën deri sa të bëhet zgjidhja. Pse vjet e kishim autobusin, dhe e hoqën? Në qoftë se ne nuk e përfitojmë me ligj, pse duhet ta përfitonim vjet”?

“Nuk kam kalamaj që t’i lë dëshmorë rrugës. Kam kalamaj t’i mbaj vetë. Nuk kam ekonomi t’i paguaj lekë bashkisë, Ministrisë së Arsimit, kam 3 kalamaj në shkollë”.

Protestën e prindërve dhe vendimin e tyre për të mos i dërguar fëmijët në shkollë në këto dy ditë të para, e konsideron të drejtë dhe mësuesi i kësaj shkolle, Pjetër Biba.

“Shumë e drejtë. Duhet të ishte marrë masa më përpara për t’u zgjidhur, jo për t’u lënë ditën e fundit. Urbani është i pasigurtë për ne të rriturit, jo më për fëmijët e vegjël. Sepse ai mund të ketë maksimumi 15-20 vende, kur fëmijët janë shumë më tepër, mund të jenë 60 që mund të shkojnë me një urban. Gjithsej janë 180 fëmijë”.

Prindërit kanë vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë derisa kërkesa e tyre të plotësohet. Sakaq, paralajmërojnë përshkallëzim të protestës, deri në bllokim të rrugës.