Ditën e sotme, këshilltarët e LSI dhe PD-së u bënë bashkë dhe rrëzuan paketën fiskale 2018, të Bashkisë së Durrësit.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak u shoqërua me debate të ashpra. Është votuar me 20 vota kundër miratimit.

Bashkia e Durrësit propozoi të njëjtin nivel taksash për bizneset dhe qytetarët, por bashkimi i votave PD –LSI, bëri që paketa të rrëzohet, pasi të majtët nuk morën parasysh propozimet e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

"Bashkia ka ruajtur të njëjti nivel taksash, madje për tarifën e pastrimit, në zonat e fshatit ku nuk ofrohet ky shërbim, qytetarët nuk do të taksohen," tha këshilltari i PS-së, Alfred Mullarj.

Ulje ka pasur në këtë paketë edhe për pagesën e tarifës për çerdhe dhe kopshte, ku Bashkia kishte propozuar që familjet me ndihmë ekonomike të paguajnë vetëm 10 % të faturës dhe ato me shumë fëmijë 20-30 %.

Nga ana tjetër këshilltarët e PD dhe LSI, kërkuan që disa tarifa të ulen, ndërsa një pjesë tjetër të bëhen zero. Shkëlqim Fortuzi dhe Armand Teliti propozuan që të mos rritet tarifa e plazheve private, në zonën e fshatit, të hiqet fare tarifa e parkimeve jo vetëm në zonat e cilësuar si qendra të këtyre njësive si dhe rishikim të taksës fikse, për banesat private.

Redaksia Online
Xh.F /Shqiptarja.com