DURRES - Një grup artistësh shqiptarë dhe italianë po përgatiten për spektaklin "Rikthimi", i cili do të sjellë në Durrës tingujt e muzikës napoletane dhe ato të këngës dhe valles shqiptare. Në qendër të spektaklit do të jetë këngëtari i mirënjohur napoletan, Mario Maglione, i cili në tetor të vitit të kaluar u nderua nga bashkia e Durresit me titullin "Fisnikëria e qytetit".
Shfaqja organizohet nga shoqata italo-shqiptare "New umor sound" në bashkëpunim me shkollën e mesme artistike "Jan Kukuzeli" dhe grupin e baletit të koreografit Arjan Plaku.
Presidenti i shoqatës "New umor sound", Giuseppe Palumbo, njëkohësisht edhe regjisor i shfaqjes, tha se përgatitjet po vazhdojnë intensivisht. Kantautori Mario Maglione dhe këngëtarja Luljeta Strefi  do të shoqërohen nga orkestra e shkollës artistike të Durrësit me dirigjent Orges Mema.
"Në program janë parashikuar një sërë këngësh shqiptare dhe italiane, kryesisht nga Napoli", tha Palumbo, duke shtuar se organizatorët kanë përgatitur edhe një këngë homazh për kantautorin e famshëm Pino Daniele, i cili ndërroi jetë në janar të këtij viti.
Spektakli që do të realizohet më 27 shkurt në teatrin "Aleksandër Moisiu" të qytetit të Durrësit ka marrë edhe përgëzimet e kryetarit të bashkisë së Napolit, Luigi de Magistris, i cili u uron organizatorëve "suksese për këtë manifestim - homazh për artin, kulturën dhe traditën e qytetit të Napolit". /ATSH/