Dua të ribashkohem me familjen, por vajza ndikon negativisht”, kështu deklaroi në polici Mikel Ndoj pasi u arrestua për plagosjen me thikë të vajzës, Xhesika, të hënën pranë vendit të saj të punës në Durrës. Çifti janë ndarë para 6 vitesh pas dhunës në familje, por 56-vjeçari i rikthyer nga Italia pasi përfundoi 2 vite në burg, kërkonte të bashkohej me gruan.

Mikel Ndoj i tregoi efektivëve se vajza 24-vjeçare nuk i përgjigjej në telefon, për këtë arsye i shkoi në vendin e punës. Sipas dëshmisë së tij, e reja i tha prerë se për të nuk ekziston më dhe ka tentuar ta largojë nga puna e saj.

Në këtë moment mu errësuan sytë. Isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool”, dëshmoi Mikel Ndoj. Para efektivëve ai shprehu pendesë duke i kërkuar ndjesë vajzës së tij, dhe qytetarit të rastësishëm që u lëndua pasi ndërhyri të shpëtojë 24-vjeçaren.

“Shkova te vendi i punës së vajzës pasi nuk po më përgjigjej në telefon. Dua të ribashkohem me familjen por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte të bënte më me mua, më shpërfillte, më injoronte. Shkova për t’i thënë se doja të bisedoja me të, por më tha se nuk dua të kem asnjë lidhje me ty, për mua nuk ekziston më. Në këtë moment mu errësuan sytë, i thashë hajde dalim pak përjashta që të flasim. Ajo më shtyu.

 Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi. Ishte edhe një djalë aty që ndërhyri në ato momente. Teksa po tentonte të më largonte u pre nga thika edhe ai. Më pas ika dhe u fsheha diku afër repartit të zjarrfikëses. Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur. Unë isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. U kërkoj falje vajzës dhe djalit që u plagos. Djalin nuk e njihja fare. Nuk di çfarë të them, ndihem shumë keq.”